E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do gjendet "fajtori" edhe për Lazaratin!

Pasi të jetë korrur mirë e mirë kanabisi, të jetë sistemuar e nisur për udhë, do t‘ia behin në Lazarat forcat speciale për të bërë "shown" e radhës, e për të mbledhur disa bimë të harruara nga intensiteti i punëve në fshat. Është një ritual i përvitshëm ky që ndodh me këtë fshat dhe në gjithë ato zona ku mbillet bima, e cila vazhdon ta rendisë Shqipërinë në top-listën e vendeve nga ku prodhohet e kalon trafiku i lëndëve narkotike. Qeveria, e cila i di dhe i njeh shumë mirë këto zona, i ka të identifikuara e të lokalizuara, sipas saj, tani bën lëshimin e radhës, për t‘iu vërsulur pastaj "egërsisht", kur punët janë mbaruar dhe numërohen paratë.

Unë nuk kam fakte të them se qeveria është e përzier me këtë biznes milionash, por që jam i bindur se ajo e di fare mirë se ku bëhet, si bëhet e për nga kalon, kjo as që ka diskutim fare. Ka disa ditë që shtypi, i nxitur edhe nga krismat e plumbave të trimave të Lazaratit, të cilët mbrojnë "integritetin" e tyre përballë çdo sulmi të organeve shtetërore, ka bërë të njohur dhe ka dokumentuar zonat se ku është mbjellë kanabisi, të cilin të gjithë e shohin, përveç qeverisë. Normalisht që kur shuplakat ndërkombëtare si ajo për rastin e Gërdecit të bëhen publike, vrapimi i Kryeministrit për të gjetur fajtorët do të ndalet përsëri te shërbimet sekrete, që nuk e kanë informuar dhe duhen domosdo reformuar, ose do t‘i vërsulet ndonjë organi tjetër të shenjëstruar për t‘u ndryshuar e përshtatur sipas oreksit të tij politik.

Alibia e radhës sigurisht që nuk do të mungojë, por kjo nuk mund dhe nuk do të zgjidhë asgjë, përveç faktit se do ta thellojë edhe më shumë problemin, pa tentuar asnjëherë në analizën e së vërtetës dhe të përgjegjësisë e rrjedhimisht edhe të zgjidhjes. Mëkati lokal i Lazaratit nuk mund të vishet aspak me pafajësinë e qeverisë dhe të mosnjohjes së saj të problemit, por si në Lazarat, ashtu edhe në Gërdec, ashtu edhe në mjaft pika të tjera shpërthyese të korrupsionit, hipokrizia politike do të jetë fatkeqësisht sfilata mediatike e radhës që do përpiqet të bëjë Kryeministri. Tani ai nuk e përmend Lazaratin, deri sa banorët e kësaj zone, votues të rregullt të tij të mbarojnë punë, por pas kësaj do të shohim duke ngritur tonet dhe duke u përbetuar për luftën pakompromis kundër korrupsionit, kundër trafiqeve, kundër veprimtarive ilegale që dëmtojnë rëndë imazhin e vendit e citime të tjera të kësaj natyre. Me gjithë rënien e përditshme të besueshmërisë së këtyre deklaratave, ai vazhdon të interpretojë në publik me tone të ngritura për pathyeshmërinë përballë korrupsionit e trafiqeve, megjithëse faktet çdo ditë e më shumë i kundërvihen ballas. Edhe për Lazaratin do të gjendet fajtori, ashtu siç u gjet për Gërdecin, ashtu siç mos ndodhtë do ta gjejë edhe nesër në fakt se përballemi me ndonjë tip mynxyre të tillë. Shërbimet sekrete kësaj radhe të paktën janë tërësisht të "mbrojtura" nga shtypi, pasi ai po i servir faktet çdo ditë për kanabisin, ndryshe nga ngjarja e Gërdecit, që sipas Kryeministrit kanë dështuar!

Kanë dështuar se nuk kanë lajmëruar atë që ai dinte! Shumë ironike, por edhe tragjike njëkohësisht. Tani ndodhemi përballë një fenomeni tjetër, fenomenit Lazarat shumë të njohur për Kryeministrin deri në detaje, duhet të jetë përgatitur edhe alibia e radhës. Berisha do të kërkojë të na servirë ndonjë "përgjegjës" tjetër për këtë imazh të prishur të vendit, por do të jetë një mundim dhe përpjekje e vështirë për t‘u besuar. Kreditet publike i ka vazhdimisht në rënie, pasi Gërdeci e ka çarmatosur nga të gjitha mburojat që kishte në luftën kundër korrupsionit. Jo vetëm për faktin se atje jo rastësisht përmenden emrat e njerëzve të tij shumë të afërt, por sepse një sërë veprimesh legale u kryen në emër e në shërbim të fabrikës që zhvaste miliona. Kësaj ai po përpiqet t‘i ikë, duke kërkuar reformimin e institucioneve të sigurisë kombëtare, gjoja në emër të përgjegjësisë e dështimit të tyre, por e ka shumë të vështirë jo vetëm të bindë këtë, por edhe të sigurojë në sinqeritetin dhe motivin e vërtetë të reformës.

Me një lojë bizare kërkon të realizojë synimin e pushtimit të këtyre institucioneve të fundit të mbetura të pakapura prej tij si dhe të largojë gjithnjë e më shumë përgjegjësinë që ka për ngjarjen e Gërdecit. Ta rikapitalizosh humbjen në një përfitim politik, duke përcaktuar përgjegjës institucione që janë shumë larg kësaj përgjegjësie, kjo është zhytje në mëkat. Për veprime legale, për veprime që bëheshin me bekimin e qeverisë e Parlamentit, për veprime që merrnin si mburojë ligje të miratuara me shpejtësi e forcë kartonësh, ku dhe si mund të informonte SHISH! Kujt mund t‘i qahej për atë çfarë ndodhte në Gërdec kur licencat i kishin dhënë organet shtetërore, kur vendimet i merrnin dikasteret më të larta deri në qeveri, kur të afërmit e Kryeministrit ishin atje të punësuar e që verifikonin çdo lëvizje? Atje vjedhja bëhej legale me leje të qeverisë, ashtu siç bëhet sot në Lazarat mbjellja e korrja e hashashit me dijeninë e plotë të qeverisë. Po në Gërdec duheshin paratë që vinin përmes rrugësh kriminale, ndërkohë që në Lazarat duhen votat që vijnë përmes veprash kriminale. Ku hyn SHISH me informacionet e tij këtu, kur gjërat dihen nga të gjithë e fatkeqësisht bekohen nga ato që kanë në dorë për t‘i parandaluar ato?

Ajo që përpiqet të na bindë Kryeministri se ka dështuar funksionimi i agjencive shtetërore të sigurisë në rastin e Gërdecit, nuk është asgjë tjetër vetëm se përpjekja për të nxjerrë në shtegun e vet mundësinë për të ndërhyrë në këto institucione dhe për të larguar nga sytë e publikut përgjegjësinë direkte që ka për Gërdecin, tani për Lazaratin, më pas të shohim se kush është në radhë. Ai mund të përpiqet të makijazhojë e të largojë përgjegjësinë nga vetja e bashkëpunëtorët e tij, duke treguar siç bëri disa ditë më parë me SHISH-in, por argumentet janë shumë të dobët e të pabesueshëm, pasi nuk kemi të bëjmë me dështim të SHISH, por me triumfin fatal të kapjes së shtetit prej familjeve që janë në pushtet. Investimi i gabuar për të reformuar SHISH-in me pretekst përgjegjësinë për ngjarjen e Gërdecit, tregon se nuk tentohet aspak e vërteta, por e kundërta e saj, nuk tentohet aspak përgjegjësia, por shmangia e mbulimi i saj. Një projekt i tillë kriminal si ai i Gërdecit që ka llogaritur shumë mirë deri në detaje të gjitha veprimet me mburojë ligjore, është i frikshëm për të ardhmen e shtetit për t‘u bërë baza nga duhen reformuar organet e sigurisë. Aq më shumë që këto organe të kapen e të përqendrohen jashtë çdo precedenti në një palë duar të dëshmuara përmes provash të shumta si shumë problematike. Një terren tjetër dhe motivim i ndryshëm nga ky që ka tani Berisha mund dhe duhej të ishte starti i një reformimi të këtyre organeve dhe aspak ky moment që ka shumë gjëra më të rëndësishme për të identifikuar, provuar e mbajtur përgjegjësi. Shpallja e luftës ndaj SHISH-it me gjithë "argumentet" që jepen përmes kartës së Gërdecit, nuk mund të shmangë korrupsionin politik, i cili gjendet i provuar legalisht që në vendimin numër 138 të qeverisë deri te ligji 9707 i Parlamentit.

Megjithëse Berisha që i di dhe i njeh mirë këto mburoja legale, prapë se prapë kërkon të krijojë një mozaik konfliktesh me institucione të ndryshme që të justifikojë nesër përfundimet e pakëndshme që do të dalin nga kjo ngjarje. Ai e largoi me qëllim SHISH-in dhe institucione të tjera përpara se të ndodhte shpërthimi fatal nga Gërdeci për të qenë i lirë në të gjitha veprimet e tij dhe e keqja nuk qëndron aspak në mungesën e informacionit që ai si i paditur kërkon ta na bindë tani. Ai e kishte të plotë informacionin deri sa merreshin vendime qeverie në ndihmë të Gërdecit, bekoheshin ligje parlamentare po për të, kështu që fajtori SHISH është më i "pafajshmi" në këtë rast, ashtu si edhe për Lazaratin që është shfaqur me kulmin e angazhimit për të mbledhur kanabisin e Kryeministri përsëri nuk e shikon. I duhet edhe disa ditë të bëjë se nuk dëgjon e nuk e shikon Lazaratin, se votat e fshatit rebel nesër ai i ka llogaritur në xhepin e tij. Kjo nuk është punë e mungesës së informacionit të organeve të sigurisë, është hall tjetër këtu. Duhen para, duhen edhe vota...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›