E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët poshtërohen nga "tulipanët". Franca barazon

Holanda thyen tabunë 30-vjeçare përballë Italisë, duke mposhtur kampionët e botës në sfidën e parë të Grupit C. 3-0 ishte rezultati final i 90 minutave të luajtura në "Stade de Suise" të Bernës mes polemikave të skuadrës së Donadonit, mbi të gjitha për golin e shënuar nga Van Nistelroi që zhbllokoi rezultatin: në momentin e devijimit final, sulmuesi holandez ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje, por gjyqtarët e pavëmendshëm akorduan rrjetë të rregullt. Italia luan me formacionin 4-3-3, ku në mungesë të Kanavaros, Materaci dhe Barzalji pozicionohen në qendër të mbrojtjes. Te Holanda, Shnajder, Kuijt dhe Van der Vart mbështesin Van Nistelroin, në formacionin 4-2-3-1 të Marko Van Basten. Italia e fillon lojën më mirë dhe i pari provon Kamoranezi, që nuk gjen kuadratin. Pas 10 minutave vjen edhe tentativa e parë e Holandës me Van der Vart, por Bufon pret në pozicion. Loja është e shpejtë dhe devijimit të pasaktë me kokë të Tonit i përgjigjet Van Nistelroi, i cili shkëputet bukur dhe shfaqet i vetëm me Bufon, por portieri italian e prek aq pak sa mjafton që t‘i prishë ekuilibrin dhe që sulmuesi mos të shënojë. Nga distanca tenton edhe Shnajder, pa gjetur portën. Në të 25-tën "tulipanët" kalojnë në avantazh mes polemikave: Van Nistelroi, nga fare pranë portës devijon në rrjetë, por pavarësisht se është në pozicion jashtë loje dhe italianët kontestojnë, vijërojtësi Henrik Andren dhe gjyqtari Peter Frojdfeld e cilësojnë golin të rregullt. Gjashtë minuta më vonë është Shnajder që dyfishon shifrat, duke përfunduar me sukses një kundërsulm të shpejtë të holandezëve, që e ka gjetur të papërgatitur mbrojtjen "axurre". Të besuarit e Donadonit tentojnë të reagojnë me Di Natalen që tenton nga fare pranë portës, por reflekset e Van der Sar janë të menjëhershme. Gjithsesi, mbrojtja italiane vuan prej vertikalizimeve të holandezëve, që kanë shansin të mbyllin virtualisht takimin, por Rud van Nistelroi i vetëm me Bufon nuk arrin të shënojë golin e tretë. Në pjesën e dytë, italianët provojnë për minuta me radhë, pa gjetur forcën e duhur për të shënuar: Zambrota, Toni e Pirlo nuk janë të qetë përpara portës. Ndërsa, nga ana tjetër holandezët administrojnë mirë lojën, duke i mbajtur në presing të vazhdueshëm kundërshtarët. Me futjen e Del Pieros loja e Italisë ndryshon, megjithatë as "Pinturikio" nuk mjafton. Edhe Toni, i vetëm me portierin nuk arrin të realizojë. Ndërkohë që Van der Sar është i jashtëzakonshëm në gjuajtjet e Grosos dhe Pirlos. Në minutën e 79-të, nga një tjetër kundërsulm i shpejtë i shndërruar në gol nga Van Bronkhorst vulos dështimin italian. Në fund ka pasur kohë, edhe për një traversë të Afellait, që ka shkaktuar drithërima.

Grupi C

Holandë 3 1 1 0 0 3-0

Francë 1 1 0 1 0 0-0

Rumani 1 1 0 1 0 0-0

Itali 0 1 0 0 1 0-3

Ndeshjet

9 qershor

Rumani-Francë 0-0

Holandë-Itali 3-0

13 qershor

Itali-Rumani 18:00

Holandë-Francë 20:45

17 qershor

Holandë-Rumani 20:45

Francë-Itali 20:45

Rumania ndal Francën, barazim

pa spektakël për pretendentët

Franca pretendente e ka nisur në mënyrë të gabuar pjesëmarrjen e saj në EURO 2008, duke u ndalur në një barazim pa gola nga Rumania. Ekipi i drejtuar nga Rajmond Domenek e ka pasur shumë të vështirë të çarë murin e krijuar nga ballkanasit, të cilët kanë dalë më se të lumtur nga kjo sfidë me pikën e marrë.

Domenek ka provuar të ndërtojë një manovër ofensive për skuadrën e tij, duke aktivizuar njëkohësisht Malouda, Riberi, Anelka dhe Benzema. Por vetëm minutat e para flasin për "gjelat", të cilët kontrollojnë lojën, por nuk arrijnë të shfaqen para portës së mbrojtur nga Lobont. Shkak për këtë "ngërç" të finalistëve të Botërorit është edhe skema tërësisht mbrojtëse e Rumanisë, me 6 mbrojtës të rreshtuar në formacionin titullar dhe vetëm Mutu, Nikulae dhe Nikolita kanë "lejen" për të kaluar në gjysmëfushën kundërshtare. Rasti i parë i vërtetë i rrezikshëm vjen në minutën e 33-të, kur pas një goditjeje nga këndi, Anelka gjuan me kokë, por topi përfundon mbi traversë. Riberi provon në të gjitha mënyrat të çajë në mbrojtjen e ngjeshur të ekipit rumun, por edhe në rastet kur shfaqet i lirë në krahun e djathtë, Anelka dhe Benzema nuk ndjekin aksionet e tij, duke bërë që të humbasë rrezikshmëria e aksionit. Kjo bën që pjesa e parë të mbyllet pa rreziqe të tjera në portën e rumunëve, të cilët nuk shqetësojnë asnjëherë Kupe, spektator gjatë 45 minutave.

Edhe pjesa e dytë fillon me më shumë ritëm për Francën, që i afrohet golit me Malouda në minutën e 49-të, por gjuajtja e mesfushorit përfundon mbi kryqëzimin e shtyllave. Por edhe Rumania duket me agresive dhe për 10 minuta radhazi ushtron presion në gjysmëfushën e Francës. Kundërpërgjigjja e francezëve vjen në minutën e 57-të, kur Riberi gjen saktësisht në hyrje të zonës Benzema, por gjuajtja e këtij të fundit është qendrore dhe e lehtë, ndaj Lobont kontrollon pa vështirësi. Rumunët e kuptojnë se me lojën në mbrojtje mund t‘u marrin pikë francezëve, ndaj mendojnë vetëm për fazën sulmuese, duke arritur që të mos u lejojnë më hapësira kundërshtarëve. Pavarësisht aktivizimit të Nasri dhe Gomis, Franca nuk arrin të gjejë golin dhe si rrjedhojë, takimi mbyllet me barazimin 0-0 që zbeh paksa pretendimet e skuadrës së drejtuar nga Rajmond Domenek.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›