E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimet dhe pritshmëria e ligjshme

Prej kohësh, në jurisprudencën e disa vendeve me demokraci të zhvilluar dhe sistem gjyqësor të konsoliduar, ka është zhvilluar e po merr një rol gjithmonë e më të rëndësishëm një nocion juridik, që lidh ngushtësisht sjelljen e administratës publike ndaj subjekteve private. Gjithashtu, edhe në praktikën e gjykatave kombëtare, dhe jo vetëm, është diskutuar e janë dhënë vendime në lidhje me materializimin e interesit të publikut nën një mënyrë të re të konceptuari të detyrimeve të administratës publike ndaj subjekteve private.

Konkretisht, koncepti njihet me termin "Pritshmëri e Ligjshme" (Legitimate Expectation). Koncepti konsiston në faktin që kur autoritetet publike premtojnë se në fusha të ndryshme do të kryejnë veprime të caktuara në të ardhmen ose do të lejojnë të ekzistojnë disa rregulla tashmë të vendosura (dhe kanë kompetenca për t‘i kryer këto veprime), atëherë këto premtime krijojnë te publiku atë që konsiderohet si "Pritshmëri e Ligjshme". Pra, publiku pret realizimin ose mbajtjen e këtyre premtimeve në një fushë të caktuar ose vazhdimin e ekzistencës së disa të drejtave e beneficeve që ai gëzon. Kjo pritshmëri e publikut hyn nën një mbrojtje juridike dhe mbajtja e premtimeve nuk është thjesht një kontratë morale mes palëve.

Roli kryesor i këtij parimi është të rrisë përgjegjshmërinë e autoriteteve publike dhe ta ndërgjegjësojnë që gjatë veprimtarisë së saj të llogarisë ndjeshmërinë dhe pritshmërinë e publikut. Administrata duhet të jetë koshiente që nëse në mënyrë publike bënë premtime për të realizuar në të ardhmen, ose premton që disa rregulla dhe përfitime të publikut do të vazhdojnë të jenë dhe në të ardhmen, atëherë këto premtime duhet të mbahen. Në të dyja rastet kërkohet seriozitet dhe angazhim nga administrata publike dhe qëndrim korrekt përballë publikut. Konceptimi i "Pritshmërisë së Ligjshme" merr atributet e një garantuesi që ushtrimi i pushtetit prej atyre që e mbajnë në një moment të caktuar ta ushtrojnë atë jo në mënyrë arbitrare. Për më tepër, nocioni detyron një standard të lartë të moralitetit publik të administratës publike.

Doktrina më e zhvilluar mbi këtë temë është në Gjermani e Holandë, ku studiues të ndryshëm kanë krijuar një doktrinë vërtet të pasur dhe kanë arritur të ngjallin interes, jo vetëm në ambientet e specialistëve dhe juristëve, por duke rritur ndjeshmërinë e publikut në lidhje me materializimin e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme.

Fillimisht, koncepti është përdorur normalisht në institucionet e së drejtës private, por duke marrë ngadalë një rol të konsiderueshëm në të drejtën kushtetuese dhe administrative. Dhe pikërisht në fushën e së drejtës publike është me interes fillimi i një debati edhe në vendin tonë (edhe debati në aspektet e së drejtës private është i rëndësishëm, por kjo ndoshta i përket një rrethi të ngushtë njerëzish të interesuar, ndërsa ana publike e konceptit përfshin një rreth më të zgjeruar njerëzish të interesuar). Konsiderohet më se normale në sferën e politikës dhe për publikun në Shqipëri, që premtimet politike në fushata të mos mbahen nga ata që më pas marrin në dorë drejtimin e administratës publike. Sigurisht që premtimet krijojnë te publiku pritshmëri të ligjshme se, në mos të gjitha, disa nga premtimet elektorale do të mbahen. Të gjithë i mbajmë mend premtimet e bujshme gjatë fushatës elektorale të vitit 2005, por të gjithë jemi sot të ndërgjegjshëm se kontrata mes palëve (nga një anë ata që na qeverisin dhe nga ana tjetër ne që qeverisemi), është shkelur dhe se pritshmëria e ligjshme që ne kishim na jep të drejtën të kërkojmë të realizohen ato premtime që na u dhanë. Dhe në fakt kjo gjë ndodh prej më se 17 vjetëve. Mund të përmendim disa nga "shkeljet e kontratës" mes qeverisë aktuale dhe publikut, si krijimi i një klime miqësore mes biznesit dhe administratës publike (të dyja palët vazhdojnë betejën mediatike dhe gjyqësore për ligjin e gjobave); zgjidhja e problemit të pronësisë (ndërkohë "pronarët e vjetër" mbajnë dokumentet e pronësisë por nuk po marrin pronat, kurse "pronarët e rinj" mbajnë pronat por nuk marrin dokumentet e pronësisë dhe janë në pamundësi të ushtrojnë plotësisht të drejta mbi to); rritja e mirëqenies së pensionistëve dhe punonjësve (rritje rrogash dhe pensionesh të papërfillshme nëse krahasohen me rritjen e çmimeve). Dhe në fakt lista e pritshmërive të parealizuara gjatë këtyre 17 viteve do të ishte shumë e gjatë. Gjithsesi, përgjegjësitë kryesore janë për administratën e drejtuar nga pushteti aktual. Pushteti aktual ka hapësirat juridike për të realizuar premtimet e bëra ndaj publikut. Tashmë ajo është e detyruar të respektojë ndjenjën e krijuar te publiku se do të zbatojë ato që ka premtuar. Por, jo vetëm që nuk po mbahen premtimet e bëra dhe të justifikohet pritshmëria e ligjshme e publikut, i cili pret realizimin e kontratës, por në fakt vazhdohet çdo ditë me premtime të reja. Dhe në këtë rast duhet që administrata publike të kuptojë dhe ndërgjegjësohet se realizimi i premtimeve nuk është vetëm një detyrim moral ndaj nesh, por dhe juridik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›