E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtylla emërohet prokuror në Elbasan

20/01/2009  Prokurori i Gërdecit

TIRANE- Zamir Shtylla, ish-hetuesi i Gërdecit dhe Drejtori i Ndjekjes Penale është komanduar si prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e rrethit të Elbasanit. Vendimi është marrë ditën e djeshme nga Kryeprokurorja Ina Rama, e cila i komunikoi vendimin në zyrën e saj prokurorit Shtylla. Ashtu sikundër gjatë sulmeve politike atëherë kur po debatohej Ligji i Dosjeve, Zamir Shtylla nuk ka bërë asnjë koment për shtypin edhe për uljen e papritur në detyrë që vjen pas një karriere të gjatë në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkaq Prokurorja e Përgjithshme ka prezantuar Sokol Stojanin, jo vetëm në krye të hetimeve të Gërdecit, por edhe në postin e drejtorit të Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Njohja zyrtare e këtyre detyrave u bë gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura, që Rama bëri me prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, mes të cilëve nuk munguan as prokurorët e Gërdecit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›