Do një Van Dyck apo një Picasso

Për herë të parë, i prekshëm për publikun shqiptar arti dhe tendencat moderne të Picassos, Chagall-it, Mondrian-it, Warhol-it.
Nga 22 prilli deri më 30 maj në Galerinë Kombëtare të Arteve, prezantohen perla të koleksionit "Ca' la Ghironda" edhe nga shek. XVI-XVII: Francia, Guercino, Reni, Van Dyck
Vepra të piktorëve botërorë Pablo Picasso, Marc Chagall, Piet Mondrian, Rene Magritte, Francis Bacon, e të tjerë kërkues e eksperimentues të shek. XX, të cilët publiku shqiptar nuk ka pasur kurrë rastin t'i shohë nga afër, ekspozohen nga 22 prilli deri më 30 maj në Galerinë Kombëtare të Arteve.
I përkasin koleksionit "Ca' la Ghironda" të Francesco Martanit. Veprat e autorëve të shek. XX ekspozohen në seksionin me titull "Atmosfera e shekullit të XX-të", kurse seksioni tjetër i quajtur "Shkëlqime klasike" prezanton po aq vlera të rralla të koleksionit në fjalë, vepra nga autorë të shkollës së Bolonjës, në shek. XVI dhe XVII: Francesko Raibolini, Guido Reni, Francesco Barbieri.
Drejtori i Galerisë, Rubens Shima shpjegon hollësi.
Z. Shima, Galeria Kombëtare e Arteve pritet të hapë një ekspozitë të rëndësishme këtë muaj, me vepra të artistëve të njohur botërorë. Si është kompozuar, kush janë autorët, punët që prezantohen?
Në kuadër të stinës së aktiviteteve ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me partnerët e saj, po organizojnë ekspozitën me vepra origjinale të disa nga emrat e famshëm të artit italian dhe atij botëror.
Në seksionin e parë, të titulluar "Shkëlqime klasike", ekspozita prezanton vepra nga shek. XVI-XVII. Përzgjedhja është bërë nga Galeria Kombëtare në bashkëpunim me koleksionistin Francesco Martani. Piktura më e hershme që hap këtë seksion, është e vitit 1506.
I përket një prej artistëve më të rëndësishëm të shkollës së Bolonjës, Francesco Raibolini i njohur si Francia. Vepra paraqet portretin e Lucrecia Romana-s, heroina legjendare e Romës antike. Është një vepër e paçmuar, një prej katër varianteve ekzistues: dy të pikturuar nga Francia dhe dy prej djemve të tij.
I njëjti seksion përmban kryesisht vepra të autorëve të kësaj periudhe, si Guido Reni i cili përfaqësohet me një portret të mrekullueshëm, hyjnor të Madalena Pendestares. Kjo është një punë parapërgatitore për veprën e plotë që ndodhet e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Artit Antik në Romë.
Një artist tjetër është Francesco Barbieri i quajturi "Guercino", bashkëkohës me Renin, madje të dy njihen për "dyluftimin" publik artistik me njëri-tjetrin. Si për ironi të fatit veprat e këtyre dy autorëve të jashtëzakonshëm vendosen në mënyrë sfidante krah njëri-tjetrit në sallën e Galerisë.
Ekspozojmë edhe një vepër nga piktori flamand Anthony Van Dyck, emër tepër i njohur i artit evropian të shek. XVII.
E kam përzgjedhur për faktin e thjeshtë se ka një lidhje me Italinë, ka udhëtuar në qytetet italiane dhe në Bolonjë për të mësuar nga krijimtaria dhe teknikat e mjeshtërve të sipërpërmendur. Më vonë Van Dyck do të punojë në oborrin e Mbretit të Anglisë dhe Skocisë, Karlit I duke fituar rangun e artistit më të rëndësishëm në këtë oborr. Ai mbeti artisti më influent i portretit në Angli për rreth 150 vjet.
Në një aspekt më gjerë, shoqëror, çfarë bote sjell ky koleksion?
Jemi në periudhën e reformës protestante dhe kundërreformës katolike. Ky është konteksti social dhe politik kur janë realizuar këto vepra. Në këtë seksion dominojnë temat fetare, biblike, gjithnjë me një lloj alegorie, karakteristikë e kësaj periudhe.
Nuk mungojnë temat historike por edhe peizazhe nga shek. XVII, ku evidente është tendenca për zbukurimin e natyrës.
Mund të na thoni diçka më shumë për koleksionin në fjalë, historinë e tij?
Të gjitha tablotë vijnë nga koleksioni "Ca' la Ghironda", një koleksion privat publik, pronë e koleksionisti të njohur italian Francesco Martani.
Ai do të jetë prezent këtu vetëm ditën e hapjes së ekspozitës. Martani është një figurë komplekse, poliedrike, mjek dhe një artist që për vite me radhë ka koleksionuar me pasion vepra nëpër vende të ndryshme të Evropës. Ka ndërtuar qendrën kulturore "Ca' la Ghironda".
Falë Ambasadës Italiane në kuadër të aktiviteteve "Dy popuj, një det, një miqësi" m'u krijua mundësia që të takohesha me koleksionistin në një vizitë të shpejtë që ai pati këtu në GKA, bashkë me organizatorë të tjerë, njerëz të kulturës së Mantovës dhe Bolonjës.
Në biseda me ta, rreth një vit më parë zhvilluam idenë për realizimin e një ekspozitë të tillë. Gjatë kësaj kohe kam qenë në proces pune intensive dhe pastaj kam vazhduar udhëtimet nëpër Itali për t'u njohur me koleksionin, për të parë cilat vepra mund të sillnim, pasi ky koleksion është gjithë kohës i pronotuar.
"Ca' la Ghironda" është një koleksion i gjerë dhe në GKA prezantohet vetëm 35-40% e tij. I kam vizituar të gjitha këto koleksione që ishin ekspozuar në muze dhe salla publike në Mantova, në Bolonjë, dhe përzgjedhja është bërë duke qenë i kushtëzuar dhe realist edhe për kostot financiare të këtij projekti.
Pavarësisht se këto janë koleksione private, konsiderohen trashëgimi e Republikës të Italisë, dhe dalja e këtyre veprave bëhet me vendimin e qeverisë italiane.
Pa bashkëpunimin e partnerëve të Galerisë, kjo ekspozitë do të ishte pothuajse e pamundur të realizohej. Kostot e sigurimit të veprave dhe transportit janë siguruar nga Fondacioni i Artit të Bankës Bujqësore Mantovane, Bashkia e Mantovës dhe Bashkia e Bolonjës.
Është hera e parë që vepra dhe emra kaq të njohur të artit bashkëkohor prekin tokën shqiptare. Është hera e parë në historinë e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në historinë e aktiviteteve kulturore shqiptare.
Në seksionin e dytë, cilët autorë prezantohen?
Lucio Fontana, Pablo Picasso, Marc Chagall, Piet Mondrian, Jean-Michel Basquiat, Andy Warhol, logot më të rëndësishme të artit modern përgjatë shek XX. Vijnë nga një i njëjti koleksion, ai i Martanit.
Ky seksion mban titullin "Atmosfera të shekullit XX", dhe është një përzgjedhje kryesisht e emrave italianë, por në një përzierje me artistë të njohur botërorë që përmenda më lart. Nga italianët ekspozohet Giorgio Morandi, Giorgio de Chirico, Mario Sironi etj..
Janë 51 vepra. Janë zgjedhur me kujdes për të dëshmuar shekullin XX, që njihet si shekulli i eksperimentimeve maksimale të artit. Pra, çdo lloj emri është i lidhur me një tendencë. Jam përpjekur që brenda mundësive që më dha "Ca' la Ghironda" dhe koleksionisti Martani, të vijnë ato vepra që në mënyrë kronologjike prezantojnë të gjitha tendencat dhe rrymat e shekullit XX.
Mund të na jepni një ide se do të vijë një larmi kaq e pasur e shek. XX?
Ekspozita hapet me eksperimentet e para të viteve '17-të. Bëhet fjalë për vizatimet e Kazimir Malevich-it, për konstruktivizmin, ose ajo që u quajt më vonë suprematizmi.
Gjuha utopike e avangardave historike ruse prezantohet me një vizatim të Malevich-it, për të vazhduar më tej me Piet Mondrian-in, ose me veprat modeste në dimensione të Giorgio Morandi-t, i cili gjithnjë përpiqet ta kthejë veprën, pavarësisht subjektit, natyrë e qetë apo peizazh, në një vend meditimi.
Ekspozohet një pikturë nga Pablo Picasso, është një nga metamorfozat figurale të tij, vepër e periudhës së fundit. Përmend këtu një punë të Jan-Michel Basquiat-së, që mund të përshkruhet si tension grafik i mbushur plot përmbajtje sociale apo estetika publicistike e imazhit të Andy Ëarhol-it, ndër artistët më influentë të shek. XX.
Të gjitha këto vepra që ekspozohen për dy muaj në Galerinë e Tiranës janë mundësi e drejtpërdrejtë komunikimi ndërmjet artistëve më të famshëm të periudhave të ndryshme të artit italian dhe botëror dhe publikut. Është një ftesë për argëtim, meditim, refleksion dhe kënaqësi për artëdashësit.
A mund të shërbejë ekspozita për biseda të hapura rreth artit bashkëkohorë me artistë shqiptarë?
Muzeu është i përgatitur për publikun. Gjithë shekulli XX për t'u kuptuar kërkon kulturë të madhe. Sigurisht, kërkimet artistike të autorëve të kësaj ekspozite që vijnë nga shek.
XX, kur raportohen me historinë e artit shqiptar, këto lloj tendencash dhe kërkimesh nuk ekzistojnë fare. Pra, struktura e ADN-së së artit shqiptar nuk i përmban fare këto lloj kërkimesh siç është konstruktivizmi, suprematizmi, minimalizmi, dadaizmi.
Ekziston një hendek i madh ndërmjet kulturës dhe zhvillimeve të shek. XX në Perëndim dhe asaj çka ka ndodhur në Shqipëri. Për këto arsye do të përdorim një gjuhë divulgative për publikun, që të kuptojë këto lloj kërkimesh.