“Do plotësojmë kriteret e KE-së”
Kryeministri Sali Berisha flet për vizat
Kryeministri Berisha kërkoi të punohet fort në plotësimin e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror, sipas kryeministrit Berisha lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit kërkojnë ndërmarrjen e masave të reja. “është pikërisht produkti i reformave, rezultati dhe suksesi i tyre, ajo që ka shërbyer si bazë për vendimin e Këshillit të komisionerëve të Komisionit Europian. Këtë vendim duhet ta marrim si një përgjegjësi të re dhe më të madhe për ne, për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve”, u shpreh midis të tjerave ai. Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Berisha i shprehu anëtarëve të Komitetit, drejtues të institucioneve dhe agjencive të ndryshme në vend, falënderimet për punën dhe përkushtimin, në arritjen e vendimit historik të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë. “Vendimi i KE, tha Kryeministri, për heqjen e vizave përbën vlerësimin më maksimal të kësaj pune, të reformave dhe të rezultatit të reformave, pasi njëra anë është të ndërmarrësh reforma, por problemi është produkti i tyre. Dhe është pikërisht produkti i këtyre reformave, rezultati dhe suksesi i tyre, ajo që ka shërbyer si bazë për këtë vendim të Këshillit të komisionerëve të Komisionit Europian”. Kryeministri theksoi se ky vendim përbën edhe një përgjegjësi të re, më të madhe për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal në disa nga orientimet kryesore, konsolidimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmirësimi dhe kompletimi i të gjithë kuadrit ligjor në luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave, shkatërrimit të bazës ekonomike të krimit, forcimi i luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe përcaktimi i objektivave të reja kundër trafiqeve, sidomos të fëmijëve dhe vajzave. Kryeministri Berisha tha se në zonat ku kultivohen lëndë narkotike, do përqendrohet forca më e madhe e ligjit, për t’i kthyer ato në hapësira të përshtatshme për investime nga ana e qeverisë Kreu i ekzekutivit u shpreh për tolerancë zero në komunat e vendit ku mbillet lëndë narkotike dhe njëherësh ka kërkuar investime në këto zona në mënyrë që të lehtësohet jeta e banorëve. Kryeministri kërkoi zbatimin e ligjit që penalizon pushtetarët në komunat ku mbillet lëndë narkotike. “Ligji që penalizon pushtetarët për mbjelljen e lëndëve narkotike të zbatohet, ata janë zot të vendit ku mbillet kanabisi”, shtoi kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, është bërë një punë e madhe për luftën ndaj kanabisit dhe ka përgëzuar forcat e rendit për këtë. “Përgëzoj forcat e rendit, deputetët të cilët kanë bërë një punë komunitare të dobishme në disa komuna të vendit, si në Lazarat”, u shpreh Berisha. Nga ana tjetër, kryeministri ka përcaktuar si të një rëndësie të veçantë investimin në këto komuna. “Kjo që duhet të bëjmë ne është të përcaktojmë programe të veçanta për të ndihmuar këto komunitete. Nga një anë të ketë zero tolerancë për mbjelljen, por nga ana tjetër ne do të investojmë fuqishëm në këto zonë që të lehtësojmë jetën e tyre”, deklaroi ai. Kryeministri kërkoi vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë midis Agjencisë së Luftës kundër Pastrimit të Parave dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Nga an e tyre, anëtarët e Komitetit u përqendrua në diskutimin dhe vlerësimet rreth zbatimit të Planit të Veprimit në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, luftës kundër trafiqeve dhe kultivimit të bimëve narkotike.
...