E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria i rezistoi krizës, sepse ekonomia jonë është e bazuar në vlerat e lirisë së tregut”

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në Konferencën Kombëtare “Politikat Tregtare të Shqipërisë, mbështetje për zhvillimin ekonomik të vendit”

“Shqipëria u anëtarësua në këtë organizatë 10 vjet më parë dhe vjen sot këtu me një bilanc realisht të suksesshëm. Shqipëria i rezistoi krizës sepse ekonomia jonë është e bazuar më shumë se kushdo tjetër në vlerat e lirisë së tregut”
Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në Konferencën Kombëtare “Politikat Tregtare të Shqipërisë, mbështetje për zhvillimin ekonomik të vendit”, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Në këtë takim, merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të OBT-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh midis të tjerave se, “me këtë rast, në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë, dua të shpreh të gjithë falënderimin tim OBT-së për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme, konstante që i ka dhënë vendit tonë, në fushën më jetike, për ekonominë e tregut, për lirinë e saj, që është tregtia e lirë. Asgjë, asnjë raport, asnjë faktor nuk është me ndikimin më të fuqishëm në iniciativën e lirë të individit, në kompleksin e interesave të tij më shumë se tregu dhe liria e tij. Asgjë nuk përcakton më shumë shëndetin e një ekonomie sesa liria e tregtisë. Organizata Botërore e Tregtisë ka një mision të madh, ridemensionimin e kësaj lirie, për të cilën flitet më shumë se për çdo liri tjetër, por fatkeqësisht përballet me ritorsione të pamerituara dhe ndonjëherë edhe nga ata që duhet të jenë lider në promovimin, mbrojtjen dhe garantimin e saj. Nuk ka raport më të rëndësishëm, dëshmitar më të besueshëm për lirinë e tregut se sa standardet e tregtisë së lirë. Shqipëria u anëtarësua në këtë organizatë 10 vjet më parë dhe vjen sot këtu me një bilanc realisht të suksesshëm. Dhe kjo jo se Shqipëria kishte mundësi që kanë shumica e vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat në disa drejtime adaptojnë barrierat më të papranueshme, por sepse besimi te liria këtu është shumë i madh. Po të vështrosh të gjitha reformat që ne ndërmarrim, ato kanë një synim: të garantojnë lirinë e tregut, tregtinë e lirë, që pothuaj janë sinonime të njëra-tjetrës. Nuk ka një vend tjetër si ky vend, me shkallën më të ulët të ndihmës shtetërore”.
Më tej Berisha bëri të ditur për të pranishmit, se si në kulmin e një krize, e një piramidërie botërore, Shqipëria është i vetmi vend, që këto 4 muaj, krahasuar me 4 muajt e viti të kaluar, shënoi dyfishimin e eksporteve “Made in Albania”.
“Kjo do të se tregtia për ne, nuk është rruga e mëndafshit, është rruga e artë dhe liria e saj”, komentoi Berisha.
Sipas Berishës, shembulli i Shqipërisë në këtë krizë të madhe botërore dëshmon se përcaktuese për një ekonomi janë parimet mbi të cilat bazohet.
“E vërteta është se ne e i rezistuam krizës sepse ekonomia jonë është e bazuar më shumë se kushdo tjetër në vlerat e lirisë së tregut. çfarë faktoi kjo? E vini re ju që popujt njëri pas tjetrit votojnë Qendrën e Djathtë dhe largohen nga rruga e socialdemokracisë evropiane, e cila ka kontributin e vet. Pse ndodh kjo? Se është sistemi i taksave. Edhe taksat, krahas ndihmës shtetërore, janë një shpatë Demokleu mbi lirinë e tregut për iniciativën e lirë. Koha faktoi se rruga e lirisë është e vetmja”, u shpreh më tej Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›