“Falë reformave të qeverisë, Shqipëria shumë shpejt drejt orbitës së vendeve të zhvilluara”
Kryeministri Berisha përshëndet punimet e konferencës së dytë vjetore të Bankës Botërore mbi Ekonominë e Zhvillimit
Kryeministri Berisha shprehu besimin dhe sigurinë se me reformat që do të ndërmerren, me konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, zhvillimin e arsimit, dixhitalizimin e Shqipërisë, ky vend do të udhëtojë drejt orbitës së vendeve të zhvilluara shumë më shpejt se sa mund të imagjinohet.
Këtë besim, Berisha e shpreh gjatë përshëndetjes së punimeve të konferencës së dytë vjetore të Bankës Botërore mbi Ekonominë e Zhvillimit.
Në këtë konferencë merrnin pjesë ministra, ambasadorë, drejtues të Agjencive Donatore, etj.
Duke falënderuar Bankën Botërore për organizimin e kësaj konference, Berisha u shpreh se, “Banka Botërore është një partner që shoqëron Shqipërinë me një mbështetje të ngushtë dhe të gjithanshme gjatë 20 viteve të fundit, ndan me këtë vend sukseset dhe mossukseset, por në tërësi ndan me Shqipërinë dhe shqiptarët një histori të vërtetë suksesi”.
Ndërsa vendet e rajonit dhe gjithë bota po vuan efektet e një krize globale që zbehu ritmet e rritjes së tyre ekonomike, Shqipëria jo vetëm që nuk u prek prej tyre, por është fakt se vazhdon të shënojë progres ekonomik, vuri theksin më tej Berisha.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi midis të tjerave se, Shqipëria po implementon sistemin më të mirë të reformave ekonomike, për ta kthyer vendin në orbitën e zhvillimit dhe progresit ekonomik.
Gjatë punimeve të konferencës së Bankës Botërore për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Berisha tha po zbatojmë reforma, me qëllim kapjen e standardit të vendeve të zhvilluara.
“Me reformat ë thella e të gjithanshme Shqipëria do të mund të kapë orbitën e vendeve të zhvilluara”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shtoi duke theksuar se me konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit si dhe reformat e qeverisë për dixhitalizimin e sistemeve dhe arsimin, ky vend do të udhëtojë drejt vendeve të zhvilluara, më shumë nga sa e imagjinojmë të gjithë”.
Për sa i takon efekteve të krizës ekonomike, Berisha garantoi se ekonomia shqiptare përballoi me sukses një nga tsunamët më të egër të krizës ndërkombëtare.
“Ndërsa vendet e rajonit dhe gjithë bota po vuan efektet e një krize globale që zbehu ritmet e rritjes së tyre ekonomike, Shqipëria jo vetëm që nuk u prek prej tyre, por është fakt se vazhdon të shënojë progres ekonomik. Ekonomia jonë i rezistoi krizës jo se jemi një segment i vogël i ekonomisë botërore, por se ajo funksionon mbi parime të shëndosha. Ekonomia jonë i rezistoi krizës edhe sepse asnjë investitor i huaj nuk është larguar nga Shqipëria. Po, ka pasur një ulje të tyre sepse kjo ka qenë e natyrshme në këtë furtunë financiare që ndodhi”, vuri në dukje kryeministri.
Nga ana tjetër, edhe ministri i Financave Ridvan Bode foli për një stabilitet ekonomik. Sipas Bodes, tashmë borxhi publik nuk është më problematik për zhvillimin e vendit, pasi ai është në rënie të vazhdueshme.
Ministri Bode u ndal veçanërisht te situata e borxhit publik, duke konstatuar se ai nuk përbën më asnjë problem.
“Borxhi publik është ulur, ka arritur në 60% të GDP-së, duke mos qenë më problematik”, u shpreh ministri Bode.
Për sa i takon borxhit të jashtëm, Bode vuri në dukje se vendi ka kapacitet për ta shlyer atë, pasi është me afat të gjatë.