E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sarajeva, nxitje për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”

Ilda Zhulali, drejtore e Përgjithshme për çështjet evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë shpjegon se çfarë pret Shqipëria nga Samiti

Kur në nëntor të vitit 2000, në samitin e Zagrebit, të zhvilluar menjëherë pas krizës së Kosovës, Ballkanit Perëndimor iu ofrua perspektiva e kalimit nga zgjidhja e konflikteve në atë të Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit me BE, vetëm optimistët përfytyruan se ku do të kishte arritur kjo perspektivë 10 vjet më pas. Progresi i këtyre vendeve, ndonëse jo i njëtrajtshëm, në vitin 2010 shfaqet me zbatimin e MSA, liberalizimin e vizave apo kërkesat për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Pikërisht bilancin 10 vjeçar të ecurisë dhe rrugës së përbashkët për të përballuar sfidat e radhës drejt integrimit pritet të bëjë takimi i nivelit të lartë i 2 qershorit në Sarajevë.

BE dhe Ballkani Perëndimor, rikonfirmim i perspektivës
Ilda Zhulali, drejtore e Përgjithshme për çështjet evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, anëtare e delegacionit, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, shpjegon se çfarë pret Shqipëria në veçanti dhe rajoni në përgjithësi nga takimi i 2 qershorit në Sarajevë. “Rikonfirmim të perspektivës evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse kthehemi në retrospektivë do të shohim që të gjitha vendet e rajonit kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm në proceset integruese evropiane. Shqipëria ka paraqitur tanimë kërkesën për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim, që do të merret në shqyrtim dhe presim që shumë shpejt ta kemi këtë status. Ndërkohë që vende të tjera të rajonit janë pak më para, në të njëjtin stad apo më pas se Shqipëria”, shprehet Zhulali.

Përqasje rajonale, progres sipas meritave të secilit vend
Perspektiva e përbashkët nxit edhe bashkëpunimin rajonal dhe përqasjen rajonale të përballimit të sfidave të integrimit. Por në këtë përqasje secili vend ka qëndrimin e vet. Qëndrimi i Shqipërisë, sipas Zhulalit do jetë ai i përmbushjes së kërkesave të BE por edhe i vlerësimit të saj sipas progresit individual. “Dua të them që ne e kuptojmë politikën e kushtëzimit, që BE ka vendosur ndaj vendeve të rajonit pasi ajo na ndihmon të realizojmë reformat e duhura, sidomos në drejtim të përmirësimit të standardeve të jetesës së qytetarëve shqiptarë. Por kërkesa jonë është që vlerësimi për progresin në procesin integrues evropian të jetë vetëm në bazë të meritës individuale në përmbushjen e kritereve dhe kushteve të Kopenhagës dhe të konfirmuara, 10 vjet më parë, në deklaratën përfundimtare të Samitit të Zagrebit”.

Rikonfirmim i perspektivës europiane të Kosovës
Pjesëmarrja e Kosovës dhe mospërjashtimi nga Takimi i Sarajevës i asnjë vendi të rajonit është një dëshmi kuptimplote e frymës së përqasjes gjithë përfshirëse që BE duket se kërkon të injektojë. Ilda Zhulali vlerëson në mënyrë të posaçme pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e nivelit të lartë të 2 qershorit në Sarajevë. Kosova në këtë takim do të ketë rastin të shpalosë pikëpamjet e saj, mënyrën sesi ajo e mendon të ardhmen e saj evropiane, vë në dukje drejtoresha e Përgjithshme për çështjet evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. “E sigurtë është që e ardhmja evropiane e Kosovës nuk është vënë kurrë në dyshim dhe ajo rikonfirmohet edhe me pjesëmarrjen në këtë takim”, pohon Zhulali.

Sarajeva, një rast që BE të nxisë reformat në Ballkanin Perëndimor
Takimi i nivelit të lartë të Sarajevës pritet të jetë jo vetëm një rikonfirmim i mbështetjes së BE ndaj gjithë rajonit që aspiron të jetë një ditë anëtar i tij. Medalja ka edhe anën tjetër: angazhimin e vendeve të rajonit për të përmbushur kërkesat dhe kriteret e BE-së për progres në këtë proces. Në këtë drejtim lokomotiva mbeten reformat dhe vetëm reformat, thotë Ilda Zhulali. “Sarajeva pritet të japë një shtysë të re reformave të brendshme në vend që janë pjesa më e rëndësishme e procesit të integrimit evropian. Vetëm me realizimin e reformave, Shqipëria do të mund të përshpejtojë procesin e saj dhe të anëtarësohet sa më shpejt në BE”.
DW

Nis sot në Sarajevë Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Nis sot në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës Samiti i Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit, ku pritet të marrin pjesë një pjesë e madhe e Ministrave të Jashtëm të Bllokut.
Ky takim pritet të bëjë një vlerësim të progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit Europian, si dhe të rikonfirmojë perspektivën e qartë europiane të këtyre vendeve.
Shqipëria përfaqësohet në këtë Samit, nga një delegacion, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të jashtme, Ilir Meta.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje- Hercegovina, do jenë vendet që pritet të marrin një konfirmim zyrtar nga radhët e Brukselit, për sa i takon zgjerimit të BE-së.
Premtimi i hershëm i Bashkimit Evropian, për objektiva të qarta në Ballkan, kryesisht në vendet e rajonit dhe anëtarësimin e tyre në familjen e vlerave evropiane, bën që vendet e Ballkanit Perëndimor të angazhohen zyrtarisht për një vlerësim pozitiv nga ana e Samitit të Sarajevës. Mësohet se BE do të dalë në një deklaratë të përbashkët. Në këtë deklaratë, për çdo vend do të vendoset nga një paragraf, ku të konstatohet se në cilën fazë ndodhet secili prej tyre në procesin e integrimeve europiane, ndërkohë që në të (deklaratë) të vihen në dukje edhe synimet e BE-së lidhur me zgjerimin.
Në konferencën e radhës për Ballkanin sot në Sarajevë, ministrat e Jashtëm të Unionit europian, do të konkludojnë me një qëndrim unik, për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Konferenca e Sarajevës do të jetë moment i rëndësishëm për Beogradin e Prishtinën dhe për gjithë integrimet evropiane të rajonit, sepse, është edhe një sinjal pozitiv se pavarësisht të gjitha dallimeve, të dy palët dëshirojnë t’i zgjidhin kontestet më të vështira në mënyrë diplomatike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›