"Do shpëtojmë ndonjëherë nga pluhuri e balta në qytetin tonë?"
Dikur në një letër dërguar në redaksinë e gazetës tuaj, falënderova bashkinë e qytetit Elbasan për punën e shkëlqyer që po bënte me qendrën e qytetit. Për të cilën ishte lënë afati përfundimtar një muaj. Pra qendra e qytetit duhet të ishte gati për festën elbasanase (14 Marsin).
Por s'qe e thënë, që një herë të vetme këta politikanët tanë të mbajnë premtimet. Sot, kur thuajse kanë kaluar dy muaj nga afati që duhet të ishte përfundimtar, në qendër të qytetit nuk sheh më shumë se pesë vetë duke punuar. Para pak kohësh, balta nuk shqitej nga aty. Ndërsa sot, pluhuri që shkakton era dhe ndonjë motor i rastësishëm që kalon të kujton se mos vallë je në një qytet luftimesh, sepse vetëm shpërthimi i ndonjë predhe e shkakton atë mjegullnajë.
Balta dhe pluhuri krijohet nga vetë kjo e fundit dhe i bie që ne vetë (ose më mirë politikanët që na drejtojnë) të jenë baltë e pisllëk. Nuk e di nëse të paktën ai objekt do të mbarojë brenda këtij viti, por nëse qyteti i Elbasanit e kalon këtë vit me një qendër me re pluhuri, atëherë të jeni të sigurt se ai do të thyejë çdo rekord në lidhje me ndotjen.
Do ngjitemi në podiume ku askush veç nesh s'do donte të shkonte. "Do na vlerësojnë me medalje ari". Meritën për këtë e kanë politika dhe politikanët tanë të nderuar. Respekte!!!