E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do svidanja" Vankuver, "Do vstretchi" në Soçi

Autori i Lajmit: redaksia

Vankuver - Në Vankuver të Kanadasë u mbyllën Lojërat Olimpike, ndërsa përgjegjësia për lojërat e radhës iu bart qytetit rus, Soçi, në Detin e Zi, që do të organizojë olimpiadën dimërore 2014. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe, e lëvdoi Vankuverin për organizimin e siç tha “ të lojërave të shkëlqyeshme dhe miqësore”. Duke folur në ceremoninë përmbyllëse, Rozhe gjithashtu i bëri homazhe Nodar Kumaritashvilit, gjeorgjianit 21-vjeçar, i cili e humbi jetën gjatë stërvitjes pak para fillimit të lojërave më 12 shkurt. Kanadaja del fituese nga këto lojëra, pasi fitoi medaljen e artë të 14-të, kur ekipi i meshkujve në hokej i mundi Shtetet e Bashkuara 3-2 në lojën shtesë. Humbja e skuadrës amerikane i ka kushtuar presidentit Obama një arkë me birrë pas bastit që ai kishte bërë me kryeministrin kanadez, Stiven Harper. Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Obama kishte vënë bast një arkë birrë “Yuengling” që prodhohet në Pensilvani dhe që është birra më e vjetër amerikane. Ndërsa kryeministri kanadez kishte vënë bast një arkë birrë “Molson”, birra më e vjetër e atij vendi. Jo kaq sportivisht e kanë pritur rusët rezultatin e këtyre lojërave. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, ka kërkuar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Rusisë të japin dorëheqjen. Deklarata e Medvedevit erdhi pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Vankuver të Kanadasë, ku Rusia pati rezultatet më të dobëta, krahasuar me aktivitete të mëparshme. Nga bregdeti i Paqësorit për në bregdet të Detit të Zi. Nga majat e Kanadasë perëndimore për në malet e Kaukazit në Rusinë Jugore. "Do svidanja" (“Mirupafshim”) Vancouver. "Do vstretchi" (“Shihemi”) në Soçi. Tashmë lëvizja olimpike kalon në një territor të ri dhe do të përballet me sfida të reja. "Ne jemi në radhë. Kufiri është ngritur në Vancouver dhe duhet të përgatitemi sa më mirë",- ka thënë shefi organizativ i Olimpiadës në Soçi, Dmitri Çernishenko. "Kjo do të jetë një ngjarje historike për Soçin. Ne e kuptojmë se është përgjegjësi e madhe për Soçin dhe për Rusinë. Që kur Soçit i është dhënë organizimi i Olimpiadës Dimërore, tre vjet më parë, vazhdimisht janë shtruar pyetje: Nëse Soçi mund të kompletojë këtë projekt masiv? Nëse ka para të mjaftueshme për këtë? Nëse Olimpiada do të jetë e sigurt në një qytet që është afër rajonit separatist të Abkhazisë në afërsi të Gjeorgjisë? Putini, në atë kohë president i Rusisë, ishte ndër më meritorët që Rusia mori organizimin e Olimpiadës Dimërore "Soçi 2014". Ai udhëtoi personalisht në Guatemala City në vitin 2007 dhe loboi tek anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Ai dhe presidenti i tanishëm i Rusisë, Dmitri Medvedev, janë vazhdimisht të përqendruar që Olimpiada 2014 të jetë sukses i madh për Rusinë. "Është shumë e rëndësishme për Rusinë dhe nuk do tia lejojë vetes të dështojë. Çfarëdo që duhet bërë do të bëhet",- ka thënë anëtari i Kanadasë në IOC, Dick Pound. Soçi është një qytet me 500 mijë banorë në rajonin Krasdonar në Rusi. Organizatorët e Olimpiadës 2014 shpresojnë që këtë vend, pas lojërave ta shndërrojnë në një vend të madh turistik, ku do të ishin vizitorë të rregullt dhe turistët e huaj. Rusia u rendit e 11-ta sa i përket numrit të medaljeve, vetëm me tre medalje të arta. Kanadaja shënoi rekord të ri pasi rekordin e mëparshëm me 13 medalje të arta e mbanin Bashkimi Sovjetik dhe Norvegjia. Me medaljen e argjendtë në hokej, SHBA fituan gjithsejt 37 medalje, që është numri më i madh i fituar në Lojërat Dimërore. Kanadaja fitoi gjithsej 30 medalje ndërsa Gjermania 26. Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga Erjon Tola që jeton e stërvitet në Itali, i cili ne stilin e tij u rendit në vendin e 48.

Ky lajm është publikuar: 02/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›