E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushtimi i Shqipërisë, Beogradi i zhgënjyer nga Hrushovi

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Beograd, 21 mars 1961 – Me një tjetër seri artikujsh që përshkruajnë realitetin politik në Shqipëri, gazeta jugosllave “Borba” ka sulmuar edhe një herë tjetër Hoxhën, Shehun dhe shokët e tyre në krye të udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë. Sipas jugosllavëve, ata kanë nisur një fushatë spastrimesh kundër kuadrove të PPSH-së. Kësaj radhe “Borba” është përpjekur të paraqesë sa më shumë detaje të “situatës së vërtetë” në fqinjin e saj të vogël të ashpër. Ndryshe nga artikujt e gazetave jugosllave të vitit 1958 kur pranohej hapur se ata kishin gënjyer lexuesit teksa shkruanin për “zhvillimin socialist”, shkrimet e fundit të organit zyrtar qeveritar kanë ndjenja të forta antishqiptare. Për më tepër, duhet thënë se jugosllavët kanë kaluar nga një linjë më mbrojtëse në një më ofensive. Në të njëjtën kohë, kjo është gjithashtu një dëshmi indirekte e udhëheqësve jugosllavë se shpresat e një ndërhyrjeje të suksesshme të Hrushovit në Shqipëri kishin qenë të kota. Në vend që ti shihnin shqiptarët dhe kinezët të nënshtruar ndaj një politike “kontrolli”, udhëheqësit e Beogradit janë detyruar të provojnë se është krijuar një tjetër bllok me vende komuniste, të cilat kanë miratuar metodat shqiptare dhe kineze për të luftuar “revizionistët jugosllavë”. Kjo vlen për Bullgarinë, autoritetet e së cilës në Sofje, ashtu siç pretendojnë jugosllavët, u janë nënshtruar atyre. Në artikujt e mëparshëm autori i tyre, Solajiç, bëri dy pohime në lidhje me ministrin e shkarkuar shqiptar të Bujqësisë, Maqo Çomon. Së pari, ai thotë se Maqo Çomo ishte bashkëshorti i Liri Belishovës, një ish-anëtare e Byrosë Politike, e cila në shtator 1960 u përjashtua nga Komiteti Qendror, ndërsa Koço Tashko, i Komisionit të Kontrollit, u përjashtua nga partia. Nëse kjo është e vërtetë, mendohet të jetë një fakt i panjohur, sepse dihet që Belishova nuk është martuar kurrë sërish pas burrit të saj të parë, Nako Spirut, udhëheqësin e ri shqiptar që u detyrua të kryejë vetëvrasje më 1946, si një kundërshtar i Koçi Xoxes, atëherë ministër i Brendshëm. Pretendimi i dytë në lidhje me Maqo Çomon është ai i heqjes së tij nga posti i ministrit të Bujqësisë pa asnjë shpjegim. Është një fakt tashmë që organi i Partisë Shqiptare të Punës, “Zëri i popullit”, më 3 nëntor 1960 lajmëroi zëvendësimin e Çomos, por pa dhënë asnjë arsye për shkarkimin e tij, ndërsa thjesht përmendi emrin e personit që do ta zëvendësonte. “Thuhet se Teme Sejko, një nga komandantët e marinës, ishte arrestuar gjithashtu. Me sa duket, me të janë arrestuar dhe disa drejtues të tjerë nga ushtria deri tek administrata shtetërore”, - shkruante “Borba”. Sipas gazetës, Liri Belishova dhe Koço Tashko ishin regjistruar në listën e zezë të armiqve të partisë muajin e shkuar. Lista kryesohej nga Koçi Xoxe (i dënuar me vdekje në maj 1949 si titist) dhe përfshinte shumë “ish- udhëheqës të vrarë apo të spastruar të partisë, të cilët llogaritë i kishin dhënë në gjyqe apo thjesht ishin përjashtuar nga jeta politike e vendit. Sipas gazetës këta njerëz ishin hequr, sepse “kasta drejtuese” donte të mbronte interesat e tyre personale apo të grupit që përfaqësonin” dhe “të vazhdonin” me zbatimin e një politike të pamundur të tyre. Mënyra se si kjo praktikë ishte vënë në zbatim, ishte ndikuar “nga situata e brendshme e momentit ose nga kombinimet e jashtme politike”. “Shumë njohës të situatës shqiptare pyesin veten nëse këto eliminime të fundit politike janë një shfaqje e një serie të re gjyqesh, spastrimesh, arrestimesh dhe terrori në përgjithësi. Por kundër kujt? Ndoshta mënyra më e re e zgjidhjes së përplasjeve gjatë kongresit të fundit të partisë të jep një tablo të përgjithshme që mund të jetë dhe përgjigjja. Sipas gazetës jugosllave, pamja e Kongresit të Parë të Partisë dhe gjyqi i Koçi Xoxes (më 1949) nuk ishte tejkaluar ende. Gjyqi kundër Xoxes dhe shokëve të tij “ishte fillimi i një tragjedie për të gjithë ata që kush më shumë e kush më pak kishin dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e lëvizjes së punëtorëve shqiptarë dhe luftën për çlirimin e vendit. Që nga fillimi, Enver Hoxha dhe klika e tij “kishin zhvilluar një luftë kundër punëtorëve në udhëheqje”. Tuk Jakova, Pandi Kristo, Koçi Xoxe dhe Kristo Themelko ishin të gjithë në lëvizjen punëtore dhe kjo është arsyeja kryesore e heqjes dhe persekutimit të tyre nga Enver Hoxha. Edhe gjatë luftës së fundit “mungesa e moralit, ndërgjegjes dhe besnikërisë ndaj Partisë është shfaqur haptazi. Kjo u ndje në fillim nga Koçi Xoxe, i cili megjithëse firmosi një letër të Komitetit Qendror më 1948 kundër Partisë Komuniste Jugosllave, vetëm disa muaj më vonë u akuzua se kishte punuar si “agjent i revizionistëve jugosllavë dhe fashistëve...”. “Borba” dha detaje dhe se si Kongresi i Parë i Partisë ishte paracaktuar 13 vjet më parë. “Delegatët ishin zgjedhur me kujdes nga Hoxha. Nga 580 delegatët që morën pjesë në diskutime, 13 dënuan Xoxen dhe 12 nuk i miratuan akuzat kundër tij dhe shokëve të tij. Sidoqoftë, fjalimet kundër Xoxes u botuan në shtypin vendas, ndërsa ato të delegatëve u censuruan dhe u mbajtën sekret. Ndërtesa ku u zhvillua kongresi ruhej me kundërajrorë, 12 mitraloz dhe disa qindra agjentë policie. Një nga folësit kryesorë kundër Xoxes gjatë kongresit ishte Tuk Jakova, i cili u përjashtua edhe vetë më vonë. Në gjyqin e Xoxes, prokurori kryesor ishte Bedri Spahiu, edhe ky do të hiqej më vonë. Jugosllavët përmendën emrat e Vaskë Kolecit, zëvendësministër i Brendshëm, Nuri Hutës, anëtar i agjitacion-propagandës në Komitetin Qendror. Vango Mitrojorgjit, zv.ministër i Brendshëm, Nesti Kerenxhit, anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i Komisionit të Planifikimit. Kristo Themelkon, anëtar i Byrosë, gjeneral dhe shefi i shtabit i Politik të Ushtrisë, Xhoxhi Blushin, kryetar i dikasterit të organizimit në Komitetin Qendror, Nexhmije Dumen, anëtare e KQ-së dhe ministre e Arsimit dhe një numër i funksionarëve më të ulët si Rahman Përllaku, Pjetër Pepa (një nga luftëtarët më të vjetër të forcave punëtore në Shqipëri), Bajram Sinoimeri, Teki Kolaneci, Gjin Marku, Haki Kroja etj, të gjithë këta persona u hoqën njëri pas tjetrit. Shqipëria e vogël, e cila është vetëm 28,748 metër katror dhe ka pasur 1,300,000 banorë (sot ka l,625,000) ka ndërtuar 14 kampe përqendrimi dhe 22 burgje. Mijëra persona u dërguan në këto kampe dhe shumë të tjerë u vranë.

Ky lajm është publikuar: 02/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›