E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ta bindim Bursën

Futbollistët vushtrrias Florent Zymeri e Edon Pasoma besojnë se do t’i bindin drejtuesit e Bursasporit për ta fituar një kontratë afatgjate. Dyshja do t’i bashkohet ekipit të dytë të kampionit turk gjatë janarit për të qëndruar në formë huazimi për gjashtë muaj. Por, ata do të punojnë fort për të mbetur gjatë në Turqi, qoftë tek Bursa apo në ndonjë ekip tjetër.

Futbollistët e rinj kosovarë, Florent Zymeri dhe Edon Pasoma janë të bindur se do të fitojnë kontratë afatgjate me Bursasporin, të cilit do t’i bashkohen në janar, për të qëndruar gjashtë muaj huazim. Lojtarët vushtrrias i kaluan me sukses provat te kampioni turk dhe do të bëhen pjesë e ekipit të dytë nga fillimi i vitit tjetër.

Njazi Ejupi, i cili e ndërmjetësoi transferimin e tyre në Bursaspor, ka njoftuar se turqit kanë kërkuar që të dy lojtarët t’i bashkohen menjëherë atyre, mirëpo kjo ka qenë e pamundur pasi 19 vjeçarët kanë kontrata me Llamkos Kosovën. Ata do të punojnë së bashku intensivisht këta dy muaj për të shkuar sa më të përgatitur në Bursa.

“Ma merr mendja që me punë, kemi me i bind ata që të qëndrojmë më gjatë. Prej janarit do të qëndrojmë gjashtë muaj si huazim në ekipin e dytë. Nëse tregojmë formë të mirë, do t’i fitojmë edhe kontratat afatgjate. Duhet të punojmë fort këta muaj sa jemi këtu, sepse gjithçka do të varet nga ne”, deklaroi për Express mesfushori Pasoma.

“Ne provat i kemi kaluar dhe besoj se do t’i bindim edhe për të qëndruar më gjatë atje. Me vullnet dhe me punë, besoj se do të mbesim atje. Në këtë periudhë do të ushtrojmë fort në Vushtrri”, tha portieri Zymeri.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë ata kanë edhe opsione tjera në futbollin turk. Që të dy, Pasoma dhe Zymeri e kanë prioritet Bursan, por insistojnë se kanë potencial që të mbeten në Turqi, qoftë në këtë ekip apo në ndonjë tjetër.

Përpos Zymerit dhe Pasomës, në prova te skuadra e Bursasporit ishte edhe Amir Prishtina, po ashtu anëtar i ekipit U-19 të Llamkos Kosovës. Mirëpo, sipas Njazi Ejupit, Prishtina duhet të forcohet edhe pak për të arritur që të kalojë te ekipi i dytë i Bursasporit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›