E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do ta lëmë Afganistanin në vitin 2011"

Presidenti amerikan, Obama, ka caktuar një datë për nisjen e largimit të trupave amerikane nga Afganistani: korrikun e vitit 2011. Pas kësaj, ato do t‘ia dorëzojnë përfaqësinë e sigurisë së vendit forcave afgane. Për herë të parë, Presidenti amerikan ka shpallur një datë për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Afganistani, vend në të cilën vunë këmbën për herë të parë në tetor të vitit 2001. Shtëpia e Bardhë shpreson që shtesa prej 30 mijë trupash, që pritet të niset për në zonat problematike të Afganistanit, e kombinuar edhe me presionin e afatit të ri, ta nxisë qeverinë e Karzait për të marrë veprime konkrete për vendosjen e rendit. Në një fjalim të transmetuar në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Obama tha se "këta trupa shtesë dhe trupat e huaja që do të bashkohen me ta do të përshpejtojnë dorëzimin e Afganistanit në duart e qeverisë vendase dhe do të lejojnë trupat amerikane që të largohen nga vendi në korrik të vitit 2011. Sikundër kemi vepruar edhe me Irakun, ne do ta kryejmë këtë dorëzim sa më shpejt që të jetë e mundur, duke pasur parasysh kushtet në terren. Do të vazhdojmë që të këshillojmë dhe asistojmë forcat e sigurimit në Afganistan për të mundësuar suksesin e tyre", ka deklaruar Presidenti. Fjalimi i tij i shumëpritur dhe shumëparalajmëruar është realizuar para studentëve të Akademisë Ushtarake të West Point-it, ndërkohë që brenda javëve të ardhshme pritet lançimi i një kundërsulmi të madh amerikan ndaj talebanëve. Obama do të dërgojë 9 mijë marinsa, që do të luftojnë me trupat britanike në një ofensivë në fillim të vitit të ri. Përgatitjet përfundimtare për nisjen e marinsave do të nisin menjëherë pas fjalës së Obamës dhe ata do të vendosen në zonat e përcaktuara para Krishtlindjeve. Sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë, ofensiva e pritshme ka si objektiv goditjen e Marjeh, një zonë e zotëruar nga talebanët, që mendohet të jetë edhe një nga zonat ku shkëmbehet drogë dhe përfitohen shuma të mëdha parash, që më pas financojnë të gjitha operacionet e talebanëve. Obama pritet që të gjurmojë të gjithë luftëtarët e Al-Kaedës dhe ekstremistët e tjerë brenda një periudhe të shkurtër para dorëzimit të vendit në duart e komandantëve vendas. Ndërkaq, edhe aleatët europianë të Shteteve të Bashkuara kanë shpejtuar për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Amerikës për dërgimin e trupave shtesë në Afganistan, edhe pse e kanë pasur të vështirë që të mbështesin dërgimin e trupave në një luftë që sa vjen e po bëhet jo më popullore. Amerikanët kërkojnë të paktën 10 mijë trupa shtesë nga aleatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›