E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me rritjen e çmimit, CEZ-i synon fitimin

Lëvizja "Mjaft!" kërkon që Enti Rregullator i Energjisë ta shqyrtojë në mënyrë tejet konservatore kërkesën e OSSH për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke i dhënë prioritet konsumatorëve përfundimtarë. "Për sa kohë çdo kompani private synon maksimizimin e fitimit, është detyrë e shtetit shqiptar të garantojë masa mbrojtjeje për ata konsumatorë, të cilët dalin jashtë skemës fillestare të subvencionimit", thuhet në letrën që "Mjaft!" i ka dërguar dje Entit Rregullator. Sikurse është bërë publike, pronarët OSSH-së, CEZ, ka kërkuar një rrije të çmimit të energjisë elektrike që shkon deri në 44.2 për qind. Sipas çekëve, kompania që ata drejtojnë prej muajit maj, është në vështirësi financiare, për shkak të nivelit të humbjeve të energjisë në rrjet. "Tashmë është pranuar gjerësisht se rritja e kërkuar nga OSSH ka efekte të rënda ekonomike dhe sociale mbi kategori të ndryshme konsumatorësh", evidenton "Mjaft!". Sipas Lëvizjes, OSSH, tashmë e privatizuar, ka dështuar në disa masa paraprake, të cilat janë thelbësore për reduktimin e humbjeve. Kompania nën drejtimin e CEZ nuk ka ndërmarrë disa nga masat thelbësore për reduktimin e humbjeve (të cilat ajo i vlerëson në masën 35.6%) dhe për ndëshkimin e abuzuesve. "OSSH është e paaftë të përcaktojë një ndarje të humbjeve, pra teknike dhe jo teknike (vjedhje, shpërdorim etj), sepse marrëdhëniet kontraktuale dhe rregullatore mes CEZ dhe institucioneve shqiptare, përcaktojnë se një studim i tillë do të ndodhë vetëm në korrik të vitit 2010", thotë letra dërguar ERE-s, e cila ka afat për të vendosur brenda datës 15 dhjetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›