E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importet ulen me 21 për qind, eksportet ulen me 9 për qind

Importet shqiptare shënuan një rënie dramatike prej 21 për qind në muajin tetor në krahasim me një vit më parë, duke dëshmuar rënie të konsiderueshme të kërkesës së ekonomisë shqiptare për mallra, bëhet e ditur nga të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara së fundmi. Gjatë këtij viti, kërkesa për importe qe mbajtur relativisht e lartë, për shkak të investimeve publike në infrastrukturë. Rënia më e madhe mujore ishte shënuar në muajin gusht në masën 12 për qind. Rënia e fortë e importeve në tetor duket se ka prekur edhe nivelin e të ardhurave të buxhetit të shtetit nga administrata doganore. Për periudhën janar-tetor të këtij viti, Shqipëria ka importuar 2.66 miliardë euro mallra, me një rënie totale prej 8.5 për qind në krahasim me periudhën janar-tetor 2008. Eksportet shënuan një rënie "modeste" prej 9.1 për qind gjatë muajit shtator në bazë vjetore, rënia më e ulët mujore e shënuar gjatë këtij viti. Gjatë periudhës janar-tetor, Shqipëria ka eksportuar 643 milionë euro mallra, me rënie 18.2 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Eksportet drejt Greqisë u reduktuan me 30 për qind këtë vit, ndërsa eksportet drejt Italisë u reduktuan me 16.4 për qind. Këta janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Rënia e eksporteve është pasqyruar gjatë këtij viti në shkurtime të rëndësishme të vendeve të punës në sektorin e përpunimit aktiv, kryesisht veshje dhe këpucë. Disa fabrika janë mbyllur totalisht si pasojë e rënies së kërkesës nga vendet fqinje, ndërsa shumë të tjera kanë raportuar shkurtimin e forcës punëtore. Rënia e importeve shënon rënie të kërkesës së brendshme të ekonomisë shqiptare, gjë që i dedikohet tërësisht krizës ekonomike. Rënia e muajit tetor nuk justifikohet dot me rënien e çmimeve të mallrave në tregun ndërkombëtar, për shkak se në këtë muaj u mbush viti i plotë i hyrjes së botës në krizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›