E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ta ndihmojmë Greqinë, por kriza është problem i tyre

Kriza BE vazhdon të mos jetë konkrete për planin e shpëtimit

Komisioneri i Bashkimit Europian, Joaquin Almunia, ka deklaruar dje se beson se Eurozona i ka të gjitha mjetet e mundshme për të ndihmuar Greqinë që të dalë nga situata e rëndë ekonomike për shkak të një buxheti që ka kapur shifra shumë të larta, por, nga ana tjetër, tha se problemet nuk mund të zgjidheshin vetëm me ndërhyrje nga jashtë. “Edhe pse instrumentet për të kanalizuar këtë solidaritet nuk janë përcaktuar ende, BE-ja dhe zona e euros e ka mundësinë e gjetjes së këtyre instrumenteve. Deklaratat e ish-shefit të ekonomisë së BE-së vjen një ditë pasi Greqia ripërsëriti kërkesën e saj ndaj vendeve të Eurozonës për të dhënë më shumë detaje në lidhje me një paketë të mundshme shpëtimtare për financat e vendit fqinj. Sipas Kryeministrit grek, një lëvizje e tillë, pra një transparencë më e madhe në lidhje me këtë plan, do të ndihmonte shumë në stabilizimin e tregjeve. Një javë më parë, në një takim informal në Bruksel, vendet e zonës euro premtuan ndërmarrjen e masave konkrete dhe të vendosura për të ruajtur stabilitetin financiar të zonës euro, por duket që tregjet financiare nuk janë ndikuar nga deklarata të tilla të pahollësishme dhe situata nuk ka ndryshuar. Një plan i detajuar do ta ndihmonte Greqinë që të reduktonte kostot e rifinancimit të borxhit prej 54 miliardë eurosh këtë vit. “Unë nuk jam duke u kërkuar njerëzve që të thonë ekzaktësisht se çfarë mund të përmbajë paketa shpëtimtare, por ne kemi nevojë që të sigurojmë tregjet në lidhje me punën që po bëjmë për sigurimin e instrumenteve potenciale për daljen nga kriza”, ka deklaruar ministri grek i Financave. Një kërkesë të tillë ai e bëri edhe në takimin e Brukselit në fillim të javës, por nuk mori ndonjë përgjigje të saktë. Ndërkohë, një numër shtetesh europiane nuk janë dakord për t’i dhënë Greqisë këtë ndihmë, përfshi edhe Gjermaninë, e cila me këmbëngulje ka kërkuar që ky të konsiderohet një problem i brendshëm i Athinës. Për më tepër ata druhen se një veprim i tillë do t’u çelë dyert edhe paketave të ngjashme për vende të tjera që ndodhen në një situatë pak a shumë si ajo e Greqisë si Letonia, apo Irlanda. Ndërkohë, Almunia deklaroi edhe se Greqia ka probleme shumë serioze, të cilat në thelb kërkojnë vetëm ndërhyrjen e Greqisë. “Ne nuk mund ta përballojmë të vetëm çështjen e borxhit të Greqisë nga jashtë. Ndonjëherë kjo është e mundur vetëm në rastin e vendeve shumë të varfra, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurë me një vend demokratik, një vend të Bashkimit Europian”. Ndërkaq, ai tha edhe se euroskeptikë të ndryshëm kishin nisur së fundi që duke marrë shkas nga kriza në Greqi të sulmonin edhe monedhën unike europiane. Sipas tij, në tërësi duhej një koordinim më i madh ndërkombëtar në politikat financiare ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangej “arbitrariteti rregullator”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›