Ukrainë, Timoshenko i drejtohet gjykatës për rezultatin e zgjedhjeve
Kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko i është drejtuar të premten Gjykatës për të mbrojtur akuzën e ngritur prej saj se në zgjedhjet presidenciale ka pasur manipulime.
Timoshenko i bëri thirrje Gjykatës të shqyrtojë me kujdes të gjitha faktet që kanë të bëjnë me balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, për të cilat kryeministrja mendon se janë karakterizuar nga mashtrimet. Një gjykatë në kryeqytetin Kiev filloi seancat dëgjimore për apelin e kryeministres për ta bllokuar inaugurimin e rivalit të saj, Viktor Janukovic.
Timoshenko tha se do ta pranonte vendimin e gjykatës, nëse hetohen të gjitha faktet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 7 shkurtit.
Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve tregojnë se udhëheqësi i opozitës Viktor Janukovic, i cili ka planifikuar të japë betimin me 25 shkurt e mundi Timoshenkon me 3,5 përqind të votave. Timoshenko tha se manipulimet masive në zgjedhje venë në pikëpyetje 1 milionë vota që mund të ndikonin tek rezultati i tyre.
Vëzhguesit evropianë thanë se zgjedhjet presidenciale në Ukrainë ishin përgjithësisht të drejta dhe të lira. Gjykata e ka bllokuar rezultatin përfundimtar deri në marrjen e një vendimi.