E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia: Droga? Kujdes kanalin e Otrantos

Operacioni “Lindja e Diellit”, arrestohen 51 persona në katër shtete. Trafikuan më ‘05-‘07 rreth 1.5 tonë marijuanë

Kanali i Otrantos vazhdon të mbetet “rruga” e trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali. Megjithëse dy shtetet kanë marrë masa për minimalizimin e këtij rrjeti, në të dyja anët e brigjeve sekuestrohen ende tonelata me lëndë narkotike. Një operacion i koduar “Drita e Diellit”, i organizuar në katër shtete njëkohësisht, ka vënë në pranga 51 persona. Hetimet për grupin kanë filluar në vitin 2005, pasi në brigjet e Leçes, Itali, është kapur një sasi e madhe marijuane. Duke hetuar këtë grup, policia italiane ka bashkëpunuar me homologët e saj shqiptarë, grekë dhe belgë, duke mundësuar zhvillimin e operacionit në këto shtete, ndërsa dhjetëra persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Në Shqipëri janë proceduar rreth 10 persona, 2 prej të cilëve ndodhen në burg, ndërsa në Itali 36 persona, në Greqi 3 dhe në Belgjikë 2 persona. Sipas të dhënave nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, operacioni u quajt “Drita e Diellit” për shkak se lënda narkotike e nisur nga brigjet shqiptare dorëzohej në agim në Itali. Sipas statistikave të Prokurorisë së Leçes, organizata kriminale ka trafikuar 1.5 tonë marijuanë.

Operacioni

Operacioni “Lindja e Diellit”, i zhvilluar në katër shtete njëkohësisht, ka vënë në pranga 51 persona, të akuzuar se bënin pjesë në një organizatë kriminele. Operacioni përfundoi mëngjesin e djeshëm, duke prangosur dhjetëra persona në Itali, Shqipëri, Greqi dhe Belgjikë. Konfiskimi i parë i drogës është bërë në mars të vitit 2005 në kanalin e Otrantos, ku policia e Leçes kishte kapur 274 kilogramë marijuanë në një gomone. Që nga ajo kohë hetimet janë zhvilluar intensivisht. Personave të akuzuar u janë sekuestruar respektivisht, 1 ton dhe 300 kilogramë marijuanë, 10 kilogramë heroinë, 45 pistoleta dhe 38 fishekë të sekuestruara më 20 janar 2006. Lënda narkotike nisej nga brigjet shqiptare dhe brigjet greke, ndërsa destinacioni ishte unik: Sicilia. Midis 36 të arrestuarve janë edhe të paktën 6 italianë. Sipas hetimeve pesëvjeçare, marijuana ishte prodhim shqiptar me cilësi të shkëlqyer, ndërsa persona konkretë kujdeseshin për paketimin e kanabisit. Ndërkohë, heroina, edhe kjo e pastër, vinte nga Lindja e Mesme. Hetimi është realizuar njëkohësisht në katër shtete.

Për këtë operacion ka shkuar personalisht në Itali, Kryeprokurorja Ina Rama, e cila ka mbajtur dje në mëngjes një konferencë për shtyp së bashku me prokurorin e Leçes, Cataldo Mota dhe komandantin e “Guardia di Finanza”, Patrik Vezoli. Krahas Kryeprokurores Ina Rama, drejt Italisë udhëtuan edhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Shqipëri, Olsian çela dhe zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Në mënyrë të përsëritur, Kryeprokurorja shqiptare theksoi bashkëpunimin e mrekullueshëm që ka çuar në përfundimin e një operacioni të rëndësishme. “Unë falënderoj homologët italianë për bashkëpunimin dhe nëse ne vazhdojmë në këtë rrugë, jam e sigurt se do të përfundojmë edhe operacione të tjera”, u shpreh kryeprokurorja. Ndërkohë, drejtuesi i Prokurorisë së Leçes i kërkoi palës shqiptare të ruajë kanalin e Otrantos, pasi është një pikë strategjike për trafikun e narkotikëve në Itali.

Hetimet

Policia italiane tha se në brigjet e Leçes ka gjetur sasi të mëdha të marijuanës, që ishte braktisur nga trafikantët e drogës, ndonjëherë së bashku me gomonet. Kjo ndodhte sa herë që trafikantët dëgjonin sirenat e policisë. Një ndihmesë e madhe në hetimet kanë qenë edhe përgjimet në katër shtete. Të arrestuarit e operacionit “Lindja e Diellit” janë kryesisht shqiptarë dhe italianë, ndërsa grupi drejtohej nga dy persona, nga italiani Salento Mauricia dhe shqiptari nga Vlora, Eduart Premtaj. Vëzhgimi ka nisur në muajin mars të vitit 2005, ku u sekuestrua një sasi e madhe e marijuanës në afërsi të kanalit të Otrantos, pika më lindore e Italisë. Hetuesit kanë shënuar hartën e trafikut të drogës, të udhëhequr nga organizata, i përbërë kryesisht nga qytetarë shqiptarë. Gjatë hetimeve është zbuluar se janë konfiskuar një total prej 1.5 tonë marijuanë, 10 kilogramë heroinë. Dyshohet se trafikantët kanë importuar të paktën edhe disa tonelata lëndë narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›