Do ta vazhdojë dominimin

Portieri i Barcelonës, Victor Valdes mezi pret ta nisë sezonin e ri. Ai beson se klubi katalunas ka kapacitet të luftojë në të gjitha frontet sezonin që vjen. Barça e fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligan sezonin që shkoi, por humbi në finale të Copa del Rey nga rivali Real Madrid.
Me fillimin e sezonit të ri, Valdes beson se Barcelona i ka të gjitha mundësitë që t’i mbrojë të dy titujt.
“Jam i gatshëm ta kem një sezon tjetër i suksesshëm. Mezi pres të fillojnë sfidat e reja, të cilat do të mundohemi t’i përballojmë, në mënyrë që t’i mbrojmë titujt tanë”, tha portieri spanjoll për ueb faqen zyrtare të klubit.
Valdes beson se dy përforcimet e mundshme të Barcelonës, Cesc Fabregas e Alexis Sanchez, do të ishin idealë për ta shtuar kualitetin e klubit spanjoll.
“Cesc është i ngazëllyer të rikthehet, kjo më pëlqen. Mënyra se si ai luan do të thotë se nuk do të kishte probleme të adaptohet me lojën tonë. Sanchez më befasoi në Botërorin e vitit të kaluar. Ai është mjaft i mirë, i shpejtë dhe i dobishëm. Ai pa dyshim është një opsion valid dhe një sulmues mjaft i mirë”, vazhdoi Valdes.