E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premton lojë ofanzive

Luis Enrique premton se do të aplikojë lojë ofanzive me Romën. Trajneri spanjoll thotë se ka mentalitet fituesi dhe se këtë mentalitet do të mundohet ta plasojë edhe në klubin ‘Giallorossi’. Ish trajneri i Barcelonës B mirëpret bashkëpunimin me kapitenin Totti, ndërsa e ka lavdëruar edhe sulmuesin Mirko Vucinic. Nga Express më 15 korrik 2011 në ora 10:16

Luis Enrique e ka nisur edhe zyrtarisht punën në Romë. Trajneri spanjoll i është bashkuar klubit nga kryeqyteti italian në përgatitjet para-sezonale. Ish futbollisti i përfaqësueses spanjolle dhe i Barcelonës thotë se do të aplikojë lojë ofanzive me klubin Giallorossi.

“Është vendimtare ta transmetoj personalitetin dhe dëshirën për ta aplikuar një futboll ofanziv. Dëshiroj që njerëzit ta shohin, që nga fillimi, se luajmë për fitore. Është mjaft e rëndësishme që te të gjithë të ekzistojë dëshira konstante dhe e vazhdueshme për suksese”, deklaroi për Roma Channel, Luis Enrique.

- “Atë që nuk do ta ndryshoj kurrë është fakti se do të futem në fushë për fitore, në shtëpi dhe si mysafir. Ky është projekti im”, vazhdoi spanjolli i cili në të kaluarën e udhëhoqi Barcelonën B.

Lus Enrique ka folur edhe për lojtarët në aspektin individual. Ai është ndalur së pari te kapiteni Francesco Totti, pa të cilin Roma duket se nuk ka kuptim. “Totti është unik. E kam pasur rastin ta njoh sot edhe personalisht. Është kënaqësi për mua ta kem mundësinë të llogaris në lojtarë të kalibrit të Tottit, De Rossit e Perrottas, të cilët duhet të jenë shembull për të tjerët”, shtoi ai.

Mirko Vucinic flitej se do të largohet nga kryeqyteti italian gjatë verës. Por, me ardhjen e Luis Enriques, duket se gjërat mund të ndryshojnë. “Mua më pëlqejnë lojtarët e fortë. Vucinic është njëri prej tyre”, tha në fund trajneri spanjoll.

Luis Enrique do ta zëvendësojë Vincenzo Montellan, i cili e udhëhoqi përkohësisht Romën në pjesën e dytë të sezonit që shkoi.

Në fillim flitej se këtë post do ta merrte i larguari nga Chelsea, Carlo Ancelotti, por pronarët e rinj amerikanë të Romës vendosën që në fund t’ia besojnë këtë pozitë Luis Enriques, për të cilin besojnë se mund ta sjellë mentalitetin e Barcelonës në klubin ‘Giallorossi’.

Edhe lojtarët e Romës e kanë përgëzuar udhëheqësinë e klubit për sjelljen e trajnerit spanjoll në krye të shtabit teknik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›