Do të gjykohen nga një tjetër trup gjykues dy nga të pandehurit e operacionit “Rexhina”
TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur gjykimin më vete për dy nga gjashtë të pandehurit e çështjes “Rexhina”, të cilët akuzohen për “vjedhje makinash, në bashkëpunim”. Burime pranë kësaj Gjykate bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se bëhet fjalë për shtetasit Bledar Hasani (Memia), 30 vjeç dhe Bujar Sefa, 22 vjeç, të cilët do të gjykohen nga një tjetër trup gjykues për shkak se procedohen në mungesë nga Gjykata. Ndërkohë, për katër të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje, prokuroria ka paraqitur në Gjykatë konkluzionet përfundimtare të hetimit, duke kërkuar dënimin me 46 vjet burg gjithsej për shtetasit Edmond Neza, Gentian Neza, Erlind Taullai dhe Dritan Hamiti. Të pandehurit e procesit në fjalë janë arrestuar vitin e kaluar gjatë një operacionit “Rexhina”, të organizuar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi akuzohen për disa vjedhje makinash.
Goditi në zënkë e sipër me thikë xhaxhain e tij, arrestohet 26 vjeçari
Tiranë – Plagosi xhaxhain e tij, por policia e ka vënë menjëherë në pranga. Julian Xhima, 26 vjeç, banues në Tiranë u arrestua në flagrancë nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit pasi akuzohet për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal. Ky shtetas akuzohet se me përpara tre ditësh, rreth orës 21:00, tek Vaskat në fushën “Misto Mame”, ka plagosur me thikë, për motive të dobëta shtetasin S. Xhima, 48 vjeç, banues në Kombinat, xhaxhai i tij, i cili ndodhet i shtruar në SQU. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë.
Ndjekje në liri për 28 vjeçarin, gënjeu për vjedhjen në makinë e 15 mijë lekëve
Tiranë - Shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, pas një pune hetimore e procedurale dërguan materialet në prokurori në ngarkim të shtetasit Erjon Ikonomi, 28 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. Ky shtetas kishte bërë kallëzim më datë 31 gusht 2008, se në orën 18:00, tek sheshi “Rilindja”, në afërsi të karburant “Alpet”, brenda në mjetin e tij furgon tip “Wolksvagen”, me targa LA 7225 A, i kanë vjedhur pa thyerje, pasi nuk e kishte siguruar mjetin, shumën prej 150 000 lekë, të cilat i kishte në kroskotin e mjetit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se kallëzimi i depozituar nga i sipërcituari ka rezultuar i rremë.
5 Shtator 2008