Krimet e Rënda paralajmërojnë avokatët e Bandës së Durrësit
Laureta Rryçi
Tiranë - Avokatët që kanë si klientë anëtarët e bandës së Durrësit janë bërë shkak për tejzgjatjen e procesit gjyqësor. Kështu është shprehur dje, kreu i kolegjit penal, gjyqtari Gurali Brahimllari, në sallën e gjyqit teksa paralajmëroi se nëse do të vazhdojnë të mungojnë edhe në seancën e ardhshme do të kërkojë ndëshkime të rënda për ta. Ndërkohë që vendos që seanca gjyqësore e anëtarëve të të ashtuquajturës “Banda e Durrësit” në Gjykatën e Krimeve të Rënda të mos vazhdonte më. Shkak, u bë mungesa e disa të pandehurve, mes tyre dhe Lulzim Berishës si dhe disa nga avokatët mbrojtës. Burime nga Drejtoria e Burgjeve bënë të ditur se Lulzim Berisha i është nënshtruar dje një ndërhyrjeje kirurgjikale në apendicit.
Paralajmërimi
Trupi gjykues deklaroi se do të merrte masa ndaj avokatëve mbrojtës nëse mungesa e tyre do të përsëritet dhe në seancat e tjera, çka do të sillte dhe një zvarritje të procesit. Vendimi i trupit gjykues u mor pas kërkesës së prokurorit të çështjes. Gjyqi pritej me interes pasi tre ditë më parë në qytetin e Durrësit u ekzekutua me 30 plumba dhe vëllai i tretë i Klodian Saliut, (i vrarë në 2005) që njihej si ish anëtar i bandës së Durrësit, një nga eksponentët kryesorë të kësaj bande. Policia ka shoqëruar disa persona në lidhje me këtë vrasje por ende nuk ka ndonjë të arrestuar. Lul Berisha akuzohet si kapoja i “Bandës së Durrësit”. 17 persona akuzohen për krime të rënda si vrasje, plagosje, trafiqe. Një nder drejtuesit e Bandës është cilësuar dhe Indrit Dokle. Në fillimet e saj, anëtarët e bandës ishin të gjithë miq, por pas vrasjes së Klodian Saliut, bosit të lokal “Cikloar”, këta të fundit u përçanë. Indrit Dokle mori frerët e bandës që drejtohej nga Saliu dhe iu kundërvu Lulzim Berishës. Sipas prokurorisë Dokle, ka rekrutuar shumë persona dhe i ka paguar për të vrarë Lul Berishën, por që ai u ka shpëtuar të gjitha atentateve. Dokle dhe Berisha, si dhe “ushtarët” e bandave të drejtuara prej tyre, ndodhen së bashku në një kafaz. Për të shmangur ndonjë përplasje mes tyre gjatë seancave gjyqësore angazhohen forca të shumta policie, si dhe specialë të Repartit të Briskut. Pak ditë më parë në Durrës pas një atentati u vra vëllai tjetër i Klodian Saliut, një prej drejtuesve të Bandës. Policia po heton për serialin e vrasjeve, ndërkohë që shumica e bandës ndodhet në burg.
Operacioni
Kapoja i “Bandës së Durrësit”, përfundon në spital. Lulzim Berisha është dërguar dje me shpejtësi në QSUT nën masa të rrepta sigurie dhe ka përfunduar në sallën e operacionit ku është operuar për apendicit. Dje në orën 08:30, personeli i burgut 313 u lajmërua se Lulzim Berisha kishte probleme shëndetësore. Vetëm 30 minuta më pas u vendos dërgimi i tij në spitalin e burgjeve. Nën kujdesin e personelit mjekësor të burgut, Lulzim Berisha është transportuar në spitalin e burgjeve, i ndjekur nga një autokolonë policore prej disa mjetesh të specializuara të mbushura me efektiva të forcave speciale. Në spitalin e burgut u konstatua se “I Forti i Durrësit” kishte dhembje ne apandesit dhe se duhej dërguar urgjentisht në QSUT. Aty kapoja i "Bandës së Durrësit" është mbajtur disa orë, ndërsa në 14:00 ka mbërritur në QSUT. I shoqëruar nga dhjetëra forca speciale të reparteve RENEA dhe BRISK-u, Lulëzim Berisha ka mbërritur në spitalin civil rreth orës 14:00. Rreth 20 minuta para mbërritjes së tij aty, dy forgona me forca speciale kishin mbërritur në QSUT duke kontrolluar gjithë zonën, si dhe duke bllokuar e mbajtur në kontroll hyrje-daljet në dy anët e urgjencës së kirurgjisë. Ndërhyrja kirurgjikale është kryer nga një grup mjekësh, të cilët kanë anuluar të gjitha operacionet dhe vizitat, duke u angazhuar me ndërhyrjen kirurgjikale në apandesitin e Lulzim Berishës.
Niset drejt Irakut kontingjenti i 12-të paqeruajtës
TIRANE- Është zhvilluar dje ceremonia e përcjelljes së kontingjentit të 12-të trupave paqeruajtëse shqiptare drejt Irakut. Misioni paqeruajtës prej 120 trupash do të shërbejë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Mosul dhe Bagdat. Në ceremoni mori pjesë kryeministri Berisha, ministri i Mbrojtjes Oketa, Zv. ambasadori i SHBA-së Kristina dhe familjarë të ushtarakëve. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë vlerësoi kontributin 5 - vjeçar të ushtrisë shqiptare për garantimin e paqes në botë. Berisha tha “se trupat paqeruajtëse janë kthyer tashmë në faktorë të rëndësishëm të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”. “Qeveria shqiptare – vijoi Berisha - do të shprehë gatishmërinë e saj maksimale sa herë të nevojitet bashkëpunimi në misione paqeruajtëse dhe në luftën kundër terrorizmit. Kreu i qeverisë falënderoi ushtrinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e deritanishëm. Me 120 trupat që do të nisen pas dy ditësh drejt Irakut, numri i kontingjentit tonë paqeruajtës në vende si Iraku, Afganistani, Çadi etj arrin në mbi 400.
5 Shtator 2008