E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do të investojmë në sport - nuk do ta harrojmë krenarinë e Tiranës”

01-05-2011 / Gazeta 55

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, me sportistët e Kryeqytetit

Lulzim Basha takoi dje përfaqësues të elitës së sportit në Kryeqytet ku shpalli projektin e tij për ringjalljen e sportit në Tiranë. Shumë rrallë ndodh qe një sportist të harrojë sportin, por kjo, jo në rastin e Lulzim Bashes. Ish volejbollisti që sot kandidat për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ka adresuar në mënyrë të detajuar në programin e tij problematiken e sportit, që nga terrenet sportive e deri tek mbështetja për sportistët. Basha ka planifikuar mbështetje jo vetëm për Tiranën, gjë që e ka për detyrë bashkia, por edhe për 3 klubet e tjera, Partizanin, Dinamon e Studentin. Madje Basha është optimist edhe për rikthimin e emocioneve të derbit Tirana - Partizani. “Jam i vendosur të siguroj të gjitha burimet e nevojshme për të rikthyer fuqishëm sportin si pjesë e përditshme, themelore e jetës së qytetarëve të Tiranës. Së pari, plani i ri urbanistik. Përveç ndalimit të cenimit qoftë edhe te një centimetër katror të hapësirave publike të gjelbra dhe në veçanti sportive, ne do të fillojmë t’i rigjenerojmë këto hapësira, t’i rifitojmë aty ku mungojnë. Do të orientojmë të gjithë energjitë tona për sportin profesional. Unë do të propozoj që pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’ ta rimarrë dhe ta administrojë Bashkia e Tiranës. Kjo, në asnjë mënyrë nuk mund të pakësojë përgjegjësinë tonë, as vendosmërinë time për të ndërhyrë menjëherë me të gjitha mjetet, për të rindërtuar tërësisht dhe për të furnizuar me kapacitete europiane, dy njësi që tashmë bashkia i ka në përgjegjësi, palestrën e sportit ‘Farije Hoti’ dhe stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Unë kam një vështrim fare të qartë për menaxhimin e klubit të Tiranës. Pikësëpari duke i dhënë klubit sportiv Tirana gjithë mbështetjen e nevojshme financiare në të gjithë gamën e aktiviteteve që zhvillon, si përgjegjësi e drejtpërdrejtë, si simbol i qytetit të Tiranës, si detyrim ndaj qytetarëve të Tiranës. Ne nuk mund të mbyllim sytë para gjendjes aktuale të tre klubeve të tjera, Partizanit, Dinamos dhe Studentit. Ne duhet të mendojmë të rikthejmë emocionet e forta të derbit Tirana - Partizani. Por unë do të investoj fort duke e nxitur garën sportive në çdo nivel”, u shpreh Basha.
Tirana mbart në gjirin e saj, elitën e sportit. Ata që benë të ndihet krenar çdo shqiptar me performancën e tyre në kompeticione ndërkombëtare, janë lënë sot në harresë. Lulzim Basha parashikon për këtë kategori mbështetje financiare nga bashkia e Tiranës. “Jam i vendosur të ngre fondin bashkiak të ekselencave sportive dhe artistike të qytetit, që asnjë prej ikonave, idhujve sportivë të qytetit të Tiranës te mos e gjejë më veten në kushte të papranueshme financiare”, tha Basha.
Basha ka bërë të ditur në këtë takim me figura të shquara të sportit shqiptar se ata do të jenë bashkë-vendimmarrës me Bashkinë në hartimin e projekteve dhe identifikimin e nevojave për sportin që nga ai komunitar, e deri tek ai elitar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›