“Sondazhi 2”, Lulzim Basha në epërsi me 54,8 për qind, ndaj 43,6 për qind të votave të rivalit të tij Edi Rama
Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha do ishte kryetari i ri i bashkisë së Tiranës, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin nesër. Ky është rezultati i një sondazhi të zhvilluar nga Qendra Ndërkombëtare për Strategji Fushatash, në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit. 54,8 për qind votave të të anketuarve, Basha është kandidati i preferuar për qytetarët. Rivali i tij Edi Rama mbështetet nga 43,6 për qind e të anketuarve
Qendra Ndërkombëtare për Strategji Fushatash ka publikuar sot në mesditë të dhënat e një sondazhi të zhvilluar prej saj, lidhur me sjelljen elektorale të votuesve dhe preferencat e tyre ndaj kandidatëve dhe partive politike. Kësisoj, QNSF ka arritur të testojë 500 votues në njësitë bashkiake të kryeqytetit, të cilët edhe kanë shprehur preferencat e tyre. Për bashkinë e kryeqytetit ku kandidojnë Lulzim Basha, Edi Rama dhe Hysni Milloshi, 54,8 për qind e të anketuarve janë shprehur se vota e tyre do jetë për Bashën, 43,6 për qind për Ramën dhe 0.4 për qind për Milloshin. Pra, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin nesër, Lulzim Basha do të ishte fitues me mbështetjen e më shumë se 50 për qind të të anketuarve, duke lënë pas dukshëm rivalin e tij Edi Rama. Po ashtu, edhe në aspektin e partive Politike, Partia Demokratike është votuar nga 49,6 për qind, PS është votuar me 43,2 për qind, LSI është votuar me 4 për qind, Partitë e tjera së bashku 2,4 për qind ndërsa kanë refuzuar të përgjigjen 0,8 për qind. Për sa i takon programeve të kandidatëve dhe ajo çka duan me patjetër qytetarët është punësimi. Kryefjala e programit të kandidatit demokrat, Lulzim Basha shihet si prioritare nga 39 për qind e të anketuarve dhe pas saj vjen menjëherë një tjetër problematikë e prekshme, e cila shihet si emergjente për t’u zgjidhur nga 22.3 për qind.
Sondazhi përmban 500 pyetësorë dhe është shpërndarë në mënyrë të rastësishme në çdo njësi bashkiake dhe qendër votimi, bazuar mbi përqindjen e popullsisë në çdo njësi bashkiake.
Ndërkaq, sot fillon realizimi i një tjetër sondazhi për të parë nëse vota e votuese të kryeqytetit do të ndryshojë.
Kandidatët për bashkinë e Tiranës
Lulzim Basha është votuar nga 54,8 për qind e të anketuarve
Edi Rama është votuar nga 43,6 për qind e të anketuarve
Hysni Milloshi është votuar nga 0.4 për qind e të anketuarve
Nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje 1,2 për qind e te anketuarve
Partitë Politike
PD është votuar me 49,6 për qind
PS është votuar me 43,2 për qind LSI është votuar me 4 %
Partitë e tjera së bashku 2,4 për qind
Refuzojnë të përgjigjen 0,8 për qind