Do të kenë edhe agjenci të këmbimit BSH vendos rregulla për licencimin e instituteve jobanka
27/02/2009 Edhe subjektet financiare jo banka mund të ushtrojnë veprimtarinë e këmbimit valutor. Kjo veprimtari nuk ka qenë e lejueshme deri më tani për këto subjekte. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e radhës rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”. Nëpërmjet kësaj rregulloreje synohet të mbështetet hyrja në treg e subjekteve bankare të shëndosha dhe të qëndrueshme, që mbështeten nga aksionerë të fuqishëm dhe me përvojë në industrinë bankare, që zbatojnë standardet më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim; që realizojnë një veprimtari të ekuilibruar me rreziqe të miradministruar. Po kështu këto subjekte me anën e kësaj rregulloreje do të jenë në gjendje të përballojnë dhe të zhvillohen në kushtet e konkurrencës së lirë që ofron një treg i hapur dhe i integruar në tregun financiar ndërkombëtar. Sipas ekspertëve të BSH-së, rregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” u hartua në zbatim të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe zëvendëson rregulloren “Për licencimin e subjekteve jobanka”. Në këto ndryshime përcaktohen veprimtaritë financiare, të cilat në ndryshim nga rregullorja ekzistuese janë përcaktuar në përputhje me veprimtaritë financiare të përcaktuara në nenin 54, pika 2, të ligjit të ri “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, duke përjashtuar ato veprimtari ushtrimi i të cilave kërkon praninë e depozitave monetare ose të fondeve të ripagueshme nga publiku.