E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat e 7501, si do të rindahet e kush preket

27/02/2009  Procedurat për rishikimin e vendimeve dhe verifikimi i sipërfaqeve

Komisionet vendore, të drejtuara nga prefektët e vendit, do të kenë të drejtën e rindarjes së tokës vetëm në raste kur do të vërejnë shkelje në vendimet e mëparshme. Për të realizuar këtë proces, do të kërkohen të dhënat nga komunat e bashkitë përkatëse si dhe të dhënat e numrit të punonjësve të ish-kooperativave.

Duket se procesi është i ndarë në dy faza: e para është ajo e verifikimit të tokës për frymë që është përfituar në komunën a bashkinë përkatëse, ndërsa në fazën e dytë është përfshirë numri i banorëve në këto zona. Këto do të shërbejnë për të pasur një panoramë më të qartë të tokës së ndarë dhe sipërfaqes që realisht duhej të ishte dhënë. Pas kësaj komisioni përkatës do të kërkojë që për çdo rast të verifikohet numri i banorëve të një familjeje në kohën e miratimit të ligjit dhe shumëzimit të këtij numri me sipërfaqen e tokës për frymë në komunën a bashkinë përkatëse. Vendimi i marrë nga ky komision do të jetë ekzekutiv dhe do të jetë formë e regjistrimit të sipërfaqes së dhënë në hipotekë.

Procesi

“Komisioni vendor i kërkon kryetarit të komunës/bashkisë: a) sipërfaqen e tokës bujqësore të vënë në dispozicion për t’u ndarë më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore; b) numrin e frymëve më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore; c) normën e tokës bujqësore në metra katrorë për frymë më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke specifikuar treguesit e domosdoshëm, të përcaktuara në vendimin nr. 255, datë 2.08.1991 të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në vendimin e marrë pak ditë më parë. Ndërkohë i gjithë procesi do të kalojë në verifikim për të parë nëse në këtë sipërfaqe është regjistruar një pronar tjetër apo jo. Për këtë komisionet vendore do të kenë në dispozicion ngastrat e tokës bujqësore aktualisht të pandara, të pa vëna në dispozicion të AKKP-së si fond i kompensimit fizik.

Gjithashtu të njëjtat të dhëna do të kërkohen dhe nga seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark.

Vendimi

Sipas vendimit, seksioni i administrimit dhe mbrojtjes së tokës plotëson aktet e mësipërme në katër kopje, nga të cilat njërën e mban në arkiv, një tjetër ia përcjell zyrtarisht ZVRPP-së për regjistrim dhe dy të tjerat ia përcjell komisionit vendor.

Komisioni vendor mban në arkiv një kopje të aktit të ri të marrjes së tokës në pronësi dhe një kopje ia dorëzon përfaqësuesit, i cili është pajisur me prokurë nga bashkëpronarët.

Për këtë regjistrim është miratuar dhe formulari përkatës, i cili do të shërbejë si pikë bazë e hipotekës në regjistrimin e një prone.

1. Në rastet kur kërkohet korrigjimi i aktit të marrjes së tokës në pronësi, pranë komisionit vendor të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) krijohet dokumentacioni i ri ligjor, në bazë të të cilit lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi.

2. Pranë komisionit vendor qytetari paraqet:

a) Kërkesën për korrigjimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi.

b) Certifikatën e gjendjes familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes bujqësore ose individi në favor të të cilit do të lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi sipas gjendjes më:

- 1.08.1991 për ish-anëtarët e kooperativës bujqësore;

- 1.10.1992 për punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore.

c) Aktin e marrjes së tokës në pronësi, në origjinal, së bashku me planvendosjen e ngastrës/ngastrave, të konfirmuar nga kryetari i komunës.

ç) Planvendosjen e ngastrës/ngastrave që qytetari, sipas informacionit që ka, pretendon se është e pandarë, të hartuar sipas hartës treguese të regjistrimit në shkallën 1:2500 nga një specialist topograf i licencuar.

d) Vërtetimin e faktit se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore më 1.08.1991 ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.10.1992. Për këtë qytetari duhet të depozitojë shkresën nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për pagesën ose jo të pensionit, si dhe konfirmimin, cilido qoftë ai, të kryetarit të komunës për këtë fakt. Nëse sipas informacioneve të mësipërme nuk vërtetohet fakti i të qenit anëtar i ish-kooperativës bujqësore ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore, qytetari ka të drejtë të depozitojë pranë komisionit vendor çdo dokument që vërteton faktin e mësipërm.

Pronarët kanë refuzuar 110 mijë ha tokë

Shahu: Janë regjistruar 80 për qind e pronave

Në një deklaratë të pak ditëve më parë Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se në Shqipëri ka përfunduar regjistrimi i 81 për qind të pronave. “Në Shqipëri që nga viti 1991 janë ndarë dhe janë dhënë në pronësi të 444 mijë familjeve fermere shqiptare 560 mijë ha tokë bujqësore, tokë që e kanë përfituar këto familje dhe kanë marrë tituj pronësie për këtë sipërfaqe toke”, - tha pak ditë më parë zëdhënësi i Ministrisë së Buqësisë Rexhep Shahu në deklaratën për mediet. Ai ka konfirmuar se kanë refuzuar 110 mijë ha tokë bujqësore si të pafrytshme, e cila është e pandarë. Territori i Shqipërisë ka 2953 zona kadastrale rurale (një zonë kadastrale është një fshat). “Është kryer regjistrimi fillestar i tokës bujqësore në cilësinë e pasurisë së paluajtshme për 2390 zona kadastrale ose për 81 për qind të të gjitha zonave kadastrale të Shqipërisë”, - nënvizoi Shahu. Ndërkohë ai ka theksuar se çdo posedues i “Aktit të marrjes së tokës në pronësi”, akt që është titull pronësie, ka të drejtën ta tërheqë atë në çdo kohë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›