E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, burg për 23-vjeçarin

Autori i Lajmit: red.
Arrest në burg ka qenë masa e sigurisë së dhënë dje Gjykata e Shkodrës për 23-vjeçarin Gjergj Bujaj, i cili vrau me armë, nga pakujdesia, kushëririn e tij. Para trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtarja Ermira Dedja, i akuzuari për vrasje nga pakujdesia është paraqitur i tronditur, ndërsa në sallë ka qenë i pranishëm vetëm vëllai i tij. Prokurorja ka lexuar akuzën dhe ka treguar detajet e ngjarjes. Petrit e Gjergj Bujaj, kushërinj dhe mjaft shokë kanë qenë në një lokal në fshatin Selcë. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, Gjergj Bujaj ka nxjerrë pistoletën që ia kishte marrë pa dijeni babait të tij, efektiv i policisë pyjore dhe ia ka vënë në gjoks, duke luajtur, viktimës. Ky i ka kërkuar ta heqë nga dora duke i thënë me të qeshur se “e mbush djalli”. Gjergj Bujaj për ta bindur se arma nuk ishte e mbushuar e ka hequr karikatorin e saj, ndërsa e ka drejtuar tytën tek koka e viktimës. Pa e ditur se ajo kishte plumb në gojë, ai ka bërë shkrepje të pavullnetshme, e cila e ka goditur në kokë kushëririn e tij, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›