Berisha: Rama bllokon integrimin për të ardhur në pushtet

Kryeministri Berisha flet në mbledhjen javore të grupit parlamentar demokrat. Topi refuzon të firmosë ligjin e Lustracionit. Pas ndryshimeve ligjore, nis dëmshpërblimi i ish të përndjekurve.
Reagimi: “Festimet për Besëlidhjen e Lezhës, zhurma e krijuar nuk ka lidhje me realitetin”
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha akuzon lidershipin e opozitës, Edi Rama se po bllokon integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se Rama në ditën kur në Bruksel zhvillohej samiti i PPE-së qëllimisht urdhëroi deputetët e PS-së në komisionin e ligjeve të mos votonin Kodin Penal. “Ditën kur pasi ishte bërë dy muaj punë serioze në komisionin e ligjeve për kodin penal pasi ishin bërë një seri amendamendesh serioze në këtë paketë, në mbledhjen e grupit Rama urdhëron që të mos votohet paketa dhe për të mbuluar këtë vendim paraprak sollën amendamentet absurde të fajit kolektiv. Dhe e bëri këtë për të justifikuar shkeljet e mëdha që kanë bërë në të shkuarën në Kushtetutë për fajin kolektiv, kërkon ti imponojë kësaj mazhorance gjë që nuk mund ta pranojë asnjë njeri i lirë në tokë”- u shpreh Berisha. Ai theksoi se gjatë takimeve me kolegët e tij në Bruksel, pyetjes së përsëritur se çfarë do ndodhë me bllokimin ai i është përgjigjur se “kreu i PS-së Rama sheh rrugë të vetme dështimet e bllokimet të cilat i bazon në një arsyetim të hedhur poshtë në zgjedhjet e 2011-ës nga qytetarët”. “Ky zotëri ka platformë të vetme trillimet, sajimet dhe bllokimin por megjithatë unë u detyrova që t’i thoja atyre që nesër ajo paketë do të bllokohej. Kjo ditë në Tiranë duhet të ishte dita e bllokimit”- tha ai.
Kryeministri Berisha ka reaguar edhe në lidhje me festimet për Besëlidhjen e Lezhës duke theksuar se zhurma e krijuar nuk ka lidhje me realitetin. “Qytetarët e Lezhës me shumë krenari festuan këtë ditë. Në ftestë bashkia e Lezhës kishte mbajtur frymën e asaj lidhje. Tjetër punë se dikush tha nuk mora ftesë, por nuk ka asnjë lidhje vetëm një, po ajo nuk varet nga ne, se po të duket Lezha në ambulen atëherë thotë po shkoj s`po shkoj, këtu ishte frymë tjetër, këtu ishte parimi një komb një qëndrim dhe u jetësua pasi ishin përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare. Çdo zhurmë tjetër është absurd dhe s`ka asgjë lidhje me realitetin dhe këtë e them me përgjegjësinë më të madhe”- theksoi kryeministri.
Gjithashtu kreu i qeverisë ka theksuar se Shqipëria do të zbatojë kriteret e vendosura në samitin e PPE në Bruksel në kuadër të Traktatit të ri ndërqeveritar që stimulon një qëndrim të ri të eurozonës dhe vendeve që duhet ndaj deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
“Sipas këtij deficiti buxhetor duhet të zbresë 2.2 % dhe nuk duhet të jetë më shumë dhe me disa sanksione për cdo moszbatim të kësaj disipline shumë të rëndësishme për të parandaluar në të ardhmen krizën e borxheve. Shqipëria nuk është vend anëtar, as kandidat, por Shqipëria do të adaptojë këto kritere si kritere të drejta e të shëndosha, të cilat i shërbejnë rritjes ekonomike të qëndrueshme”- tha Berisha.
Ai ka theksuar se nga viti që vjen do të punohet për vendosjen në bazë të performancës financiare dhe makroekonomike të kërkesave që u vendosën në marrëveshjen ndërqeveritare të firmosur tashmë nga 25 vende anëtare të BE.