"Do të më pëlqente të drejtoja Italinë ose Bregun e Fildishtë"
Karlo Ançeloti vazhdon të shohë nga e ardhmja, pavarësisht se aventura e tij te Çelsi ka filluar vetëm prej disa muajsh. Trajneri i bluve synon që një ditë të punojë në nivele ndërkombëtare. Ai shpreson që kur të vendosë të largohet nga "Stemford Brixh" të marrë drejtimin e përfaqësueses italiane, ndërsa shprehet i interesuar edhe për stolin e Bregut të Fildishtë. Gjithsesi, ish-trajneri i Milanit këmbëngul se i pëlqen jeta në Londrën perëndimore. "Unë në krye të Kombëtares italiane? Do të më pëlqente që kjo të realizohej në të ardhmen, por nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Jam italian dhe natyrisht që për këdo është ëndërr të punojë me përfaqësuesen e vendit të tij. Por, nuk e di nëse një ditë, kjo dëshirë do të realizohet", deklaroi Ançeloti për "BBC". "Gjithashtu do të më pëlqente të drejtoja një përfaqësuese afrikane. Për shembull, Bregu i Fildishtë është një skuadër e jashtëzakonshme". Ançeloti ka vlerësuar edhe punën e bashkëkombësit të tij, Fabio Kapelo, me Anglinë, por nuk bën parashikime për faktin nëse "Tre Luanët" do të triumfojnë në Kupën e Botës 2010. "Kapelo është një trajner i madh, ka shumë eksperiencë dhe po punon mirë. Anglia është njëra prej pretendenteve, por ashtu si edhe rivalet e tjera, do ta ketë të vështirë të triumfojë në Afrikën e Jugut", përfundoi ai.