E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do të mund të përmirësojmë jetën e fermerëve"

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar turin "Dialog me Shqipërinë" në fshatin Darëzezë të Komunës Dërmënas në Rrethin e Fierit. Gjatë takimit me banorët e fshatit, Rama u angazhua për përmirësim të jetesës së çdo fermeri që kërkon të jetojë me punë të ndershme në çdo fshat të vendit, përmes një programi të ri që do të ndryshojë tërësisht realitetet në fshat. "Arsimimi i fëmijëve dhe prodhimi i tokës sonë janë dy gjëra që ne duhet t‘i kemi në prioritet, në të kundërt, ne nuk kemi as të tashmen, as të ardhmen të garantuar", theksoi kryesocialisti Rama në takim. Sipas tij, ky proces që kemi filluar në të gjithë vendin shërben për të mbledhur ide dhe sugjerime, në mënyrë që këto dije t‘i kombinojmë me realitetin, pasi pa këto nuk mund të bëjmë përpjekje radikale në bujqësi, në blegtori, apo dhe në zhvillimin rural në përgjithësi. Kreu socialist ishte në një shtëpi në Darëzezë, ku bisedoi me banorët e saj për vështirësitë që has sot një familje fermerësh, ndërsa shteti nuk jep politika të sakta për bujqësinë. "Politika duhet që të punojë për të zgjidhur problemet dhe për të lehtësuar punën dhe jetesën e fermerëve", u shpreh Rama, në bashkëbisedimin e tij me banorët e familjes Kuçi. "Vaditja, kullimi, fragmentimi i tokës, kostot e prodhimit, mungesa e tregut janë të gjitha çështje zinxhir që i zgjidh shteti. Politika për këtë na duhet, për të zgjidhur problemin që nuk e zgjidhin dot vetë njerëzit", u shpreh Rama. Ai shtoi se njerëzit, politika i bën bashkë për të zgjidhur problemet, kurse te ne, për fat të keq, politika i ndan ata për të zgjidhur vetëm interesat e disa politikanëve. "Na kanë dhënë për vite me radhë arsyet përse duhet të ndahemi. Nuk na janë dhënë arsyet pse duhet të bashkohemi për mirëqenien dhe për fëmijët tanë. Në këtë aspekt të gjitha familjet, socialiste, demokrate, pa parti, njerëzit e thjeshtë vuajnë po njësoj", insistoi Rama. Socialistët bëjnë thirrje të largohemi nga politika e tifozllëkut dhe duhet të bëjmë politikë të jetës. "Politikën e njerëzve me njerëzit, për njerëzit, politikën për fëmijët tanë. Nuk është e mundur që të vazhdojmë kështu, është e pamundur", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›