Ndoka-Shehi: Sështë vetëm PD

Dy krerët e partive thonë se bashkëpunimin për një të djathtë të vërtetë mund ta japin me partitë e tyre dhe jo vetëm si individë. Këtë nismë ata e shohin si një tregues se e djathta nuk ka alternativë vetëm Partinë Demokratike
Ideja për krijimin e së “Djathtës së vërtetë” mirëpritet nga dy figura të rëndësishme të kampit të djathtë, nga demokristiani Nard Ndoka dhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Të dy këta krerë partish të djathta thonë se e shohin pozitivisht një nismë të tillë të ndërmarrë nga Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, një nismë të cilën premtojnë se do ta shqyrtojnë sapo t’u bëhet një ofertë konkrete. Megjithatë, ata shprehen se nuk kanë ndërmend që të lënë postet drejtuese të partive të tyre për t’u bërë anëtarë të një subjekti politik, por vetëm duke marrë me vete edhe partitë e tyre. “Po të ishte për mua si Dash Shehi, unë kam pasur oferta për të shkuar edhe në parti të tjera, megjithatë nuk kam pranuar. Unë drejtoj një parti të rëndësishme, që përfaqëson të djathtën, që është LZHK-ja. Neve nuk na ka ardhur akoma një ofertë e tillë, megjithatë do ta shqyrtojmë sapo të na vijë dhe do të jemi të hapur për të diskutuar”, thotë Shehi. Po ashtu, edhe Nard Ndoka, i cili nuk e përjashton mundësinë që të bëhet pjesë e një lëvizjeje të tillë, thotë se do ta shqyrtojë si mundësi bashkëpunimin “për një të djathtë të vërtetë”. Edhe Ndoka, ashtu si Shehi, thotë se, në rast se do të ketë një bashkëpunim të tijin, nuk bëhet fjalë që të lihet posti i kreut të PDK-së për një ofertë të tillë. Kështu, duket se tashmë “E djathta e vërtetë” do të jetë një koalicion parazgjedhor ose federatë, por jo një subjekt politik i përbërë nga individët Spartak Ngjela, Gilman Bakalli, Nard Ndoka, Dashamir Shehi etj. “Kjo do të thotë që partitë e djathta kanë shumë mundësi zgjedhjeje për mënyrën e daljes në zgjedhje, dhe Partia Demokratike nuk mbetet alternativa e vetme”, thotë Ndoka, duke mos e përjashtuar si mundësi edhe një bashkëpunim në këtë formë. Ndërkaq, gazeta kontaktoi edhe me një nga ideatorët e kësaj lëvizjeje të re politike, deputetin e pavarur Gilman Bakalli, i cili thotë se nuk janë vendosur akoma modalitetet e bashkëpunimit mes këtyre figurave politike, procedimi me të cilët e merr “startin” nga përfundimi i kodit të ri zgjedhor. Megjithatë, Bakalli shpjegon edhe qëllimin e një lëvizjeje të tillë politike, me argumentin se “ka një boshllëk në tregun politik, që mendojmë se ne mund ta mbushim”. Ndërkohë, në rast se realizohet krijimi i këtij subjekti politik, pritet që pjesë e rëndësishme e programit të tij të jetë çështja e pronës dhe çështja e të persekutuarve, detyra për të cilat mazhoranca aktuale “akuzohet” se nuk i ka kryer sikurse kishte premtuar. Po ashtu, duket se bashkimi i Spartak Ngjelës, Nard Ndokës, Dashamir Shehit dhe i Gilman Bakallit mund të vërë në pozitë të djathtën e Partisë Demokratike, e cila ka krijuar jo pak të pakënaqur.