E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do të pajisim studentët me Kartën Studentore të Bashkisë”

06/04/2011  Kandidati i PD-së për Tiranën, Basha, premton shërbime me çmim të reduktuar

Punësimi, bashkia hallka lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës

Kandidat për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, bashkëbisedoi dje me studentët e disa universiteteve në kryeqytet, ku paraqiti para tyre programin e tij “Tirana e 100 mijë studentëve”, si dhe u njoh me sugjerimet për jetën akademike, infrastrukturën universitare, si dhe perspektivën e punësimit. Ai tha se pjesë e rëndësishme e projektit të tij është themelimi i Kartës së Studentit, një dokument ky që do t’i pajisë studentët me privilegje të ndryshme, kryesisht shërbime publike, falas ose me gjysmë çmimi, siç funksionon në kryeqytetet e Evropës. “Krijimi i ambienteve me një infrastrukturë, por edhe me një të ardhme moderne evropiane, është një domosdoshmëri për t’i dhënë çdo studenti në Tiranë lehtësitë e nevojshme për të studiuar, jetuar, dhe dhënë kontributin e tij apo të saj, për bashkëjetesën në këtë qytet. Përsëris angazhimin tim si kryebashkiak i ardhshëm që brenda vitit të parë të çajmë tokën për të nisur punimet për bibliotekën qytetare, bashkiake të Tiranës. Ajo do të sigurojë akses të plotë dhe të mjaftueshëm për të gjithë studentët e qytetit, por do ta bëjë këtë në parametrat modernë me akses në internet”, theksoi Basha në fjalën e tij. Ai përmendi edhe çështjen e punësimit tw studentëve , pasi aktualisht shumë të rinj pajisen me diploma, por e kanë të vështirë të gjejnë mundësi për ushtrimin e profesionit. Për këtë kandidati për kryebashkiak premtoi se hallkën lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës do ta luajë bashkia.

Punësimi

“Po kështu, ka dhjetëra, qindra, mijëra biznese, të cilat sot, në këtë moment që flasim kërkojnë punë të kualifikuar. Bashkia e Tiranës do të marrë përgjegjësi për të qenë porta kryesore e informacionit që do të facilitojë, do të lehtësojë komunikimin midis punëmarrësve dhe punëdhënësve, nëpërmjet një sistemi modern informacioni të tregut të punës”.

Kandidatja e LSI-së takon banorët e rrugës “Komuna e Parisit”

Xhixho: LSI plan për hapjen e 2 mijë bizneseve

Kandidatja e “Aleancës për qytetarin” për kryetare në minibashkinë nr. 5 në Tiranë, Erisa Xhixho, zhvilloi dje takime me banorë të kësaj njësie, në rrugën “Komuna e Parisit”, për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Fillimisht ajo është ndalur në një lokal që kishte falimentuar dhe po i “vinte drynin biznesit”, pasi nuk përballonte dot më taksat e larta të pushtetit vendor. Xhixho premtoi se mbështetja ndaj biznesit dhe ulja e taksave do të jetë prioritet i saj kur të vijë në krye të minibashkisë nr. 5. Më tej, ajo takoi një grup të rinjsh, të cilët i shprehën asaj një problem shumë të mprehtë, siç është papunësia. “Ne kemi një projekt të rëndësishëm në programin tonë elektoral, që është mbështetja financiare e bizneseve të vogla nëpërmjet kredive të buta, në mënyrë që të hapim sa më shumë vende pune. Kjo politikë ka rezultuar e suksesshme në të gjitha qytetet evropiane ku është përdorur”, - tha Xhixho.

Kryeministri takoi strukturat e Partisë Demokratike të këtij qyteti

Berisha prezanton kandidatin për Bashkinë e Elbasanit, Hushin

“Përgjegjësia për zgjedhjet është e qeverisë, ndaj secili të zbatojë Kodin Zgjedhor”

Kryeministri Berisha, gjatë një takimi me strukturat e Partisë Demokratike në Elbasan, për zgjedhjet lokale të 8 majit, shprehu mbështetjen dhe vlerësimin e tij për kandidatin e koalicionit “Aleancë për qytetarin” në Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi. Kreu i qeverisë përmendi vitin 2007, kohë kur Hushi bashkoi votën me deputetë të mazhorancës, për të votuar Presidentin e Republikës, Bamir Topi, duke theksuar se “ai e ka dëshmuar veten se para se të ishte partiak, ishte shqiptar dhe vuri veten në interesin e Shqipërisë”. Duke vijuar me fjalën e tij për përgatitjet zgjedhore, numri një i qeverisë shqiptare shprehu gjithashtu besimin tek anëtarët, militantët dhe të gjithë mbështetësit e koalicionit qeverisës, se do ta shndërrojnë këtë periudhë në periudhën e punës më intensive, në mënyrë që në datën 8 maj, ky koalicion të shkojë i sigurt drejt fitores. Gjithashtu Kryeministri e mbështeti besimin në fitore edhe sepse mazhoranca shkon në këto zgjedhje me koalicionin më të gjerë dhe me një filozofi të thjeshtë: realizimin e premtimeve. Por pavarësisht të gjithave, numri një i qeverisë shqiptare u kujdes të porosiste për garantimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, duke nënvizuar se zbatimi me rigorozitet i ligjit është synimi më kryesor. “Dua t’ju them se përgjegjësia për zgjedhjet është kryesisht e jona, e qeverisë, dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Ndaj ju lutem shumë, secili nga ne duhet të qartësojë dispozitat e Kodit Zgjedhor, që kanë të bëjnë me veprimtarinë tonë, dhe duhet të jemi model në zbatimin e ligjit. Zgjedhjet bëhen të lira e të ndershme, kur zbatohet ligji, ky është kushti themelor i tyre. Ndaj ta shndërrojmë këtë në fushatën më të bukur, ku të zbatojmë plotësisht ligjin, në një fushatë ku ta ketë të qartë çdo qytetar i Elbasanit që vota e tij do të numërohet me ndershmëri”, u shpreh Kryeministri. Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha shprehu besimin se me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe të Elbasanit do të presë para zgjedhjeve të 2013-s shiritin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Shtyllat e fitores

Kryeministri e mbështeti besimin në fitore edhe sepse mazhoranca shkon në zgjedhje me filozofinë e realizimit tw premtimeve. “Në të gjitha rekordet elektorale, ky koalicion ka 55 për qind të votave të të gjithë shqiptarëve. Ne e kemi të thjeshtë filozofinë. Ne e bazojmë fitoren në dy shtylla kryesore: premtimet i realizojmë dhe koalicion i gjerë. Zoti Rama u përpoq të na imitojë me koalicionin dhe shkoi me Partinë e Punës. Por bëhet koalicion me Partinë e Punës? Vetëm ai e bën. Përpara kishte alergji, tani mori ca emra dhe shkoi e ra te Partia e Punës së Shqipërisë. Ta mbajë me shëndet! Koalicioni i së shkuarës”, - tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›