Mbytet nga gazi, gjendet i vdekur punonjësi i kompanisë së naftës
Viktima është gjetur i pajetë nga një shoku i tij, ndërsa mendohet se 55-vjeçari nuk kishte respektuar masat e sigurisë në punë
FIER Sandri Mullasi, 55 vjeç, i punësuar në kompaninë e naftës “Stream Oil”, banor i qytetit Patos ka humbur jetën në orët e paradites së hënë, duke ngarkuar me ujë mjetin autobot, në grupin e naftës nr 3 në zonën Mollaj, rrethi Mallakastër. Sipas burimeve nga vendngjarja, ai është gjetur i pajetë sipër mjetit autobot, i rënë përmbi kapakun e lënë hapur të botit, prej kolegut të tij të punës Vasil Dhëmbi. Sipas këtij të fundit, Mullasi ka qenë duke kryer procesin e zakonshëm dhe të përditshëm të punës, atë të ngarkesës së ujit, nga depot e grumbullimit të naftës grupi tre në këtë zonë, në automjetin tip bot, për ta çuar më pas këtë sasi uji në pusin nr 13, rreth një km që andej, pus i cili është në proces shpimi dhe kërkimi për naftë në këtë zonë. Uji që mbushej në bot, përdoret për t’u injektuar në shtresën naftëmbajtëse, një proces teknologjik ky që siç sqarojnë specialistë të naftës shërben për të mbajtur nën kontroll regjimin e shtresës naftëmbajtëse. Aksidenti vdekjeprurës ka ndodhur në orët e para të ditës, rreth orës 09 30. Gjatë kësaj kohe si drejtues mjeti, viktima ka afruar botin në vendin e ngarkimit me ujë, poshtë një tubacioni të pajisur me një saraçineskë shkarkuese. Pasi ka hapur saraçineskën, uji ka vërshuar për në brendësi të botit. Ndërsa ai ka qenë i pozicionuar fare afër rrjedhës së ujit. Ky ka qenë dhe momenti fatal. Uji ka pasur sasi të konsiderueshme gazi sulfurik dhe mendohet se ka naftë. Prania e gazit në ujë dhe shpërhapja e tij në atmosferë ka sjellë humbjen e ndjenjave të viktimës Duke qenë se ai ka qenë i vetëm sipër mjetit, ka rënë pa vetëdije atje sipër botit, përmbi kapakun hyrës të ujit për në bot dhe ka gjetur vdekjen.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje Ekspertët e saj kanë këqyrur vendin ku humbi jetën 55-vjeçari, ndërsa nuk kanë dhënë asnjë hollësi në lidhje me këtë vdekje. Trupi i pajetë i Mullasit, babait të tre fëmijëve, është dërguar në spitalin e qytetit Ballsh. Bluzat e bardha të këtij qyteti deklaruan paraprakisht se vdekja është aksidentale, për shkak të asfiksimit nga gazi helmues. Por, shtuan të njëjtat burime, se do të jenë analizat mjekësore si dhe ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së drejtuesit të mjetit tip autobot të firmës ‘Stream Oil’. Trupi i pajetë është dërguar për në morgun e qytetit Fier. Ekspertiza ende nuk ka dhënë shkakun e vërtetë të vdekjes. Policia në një njoftim të saj zyrtar është shprehur se po punohet për gjetjen e shkakut të vdekjes. Ky është një tjetër rast vdekjeje në zonat naftëmbajtëse në qarkun Fier.
Vasil Dhëmbi, një kolegu i tij i punës, drejtues mjeti në këtë firmë, tregon dhe detajet se si e ka gjetur pa jetë kolegun e tij.
Kur keni shkuar dhe keni konstatuar vdekjen e kolegut tuaj?
Si gjithmonë, kishim marrë urdhër të ngarkonim ujë nga grupi i naftës tre dhe ta shkarkonim atë në pusin nr. 13 sipër kodrës. Ishte radha e Sandrit për t’u ngarkuar. Unë qëndrova në makinë, pastaj u ngjita për në drejtim të Grupit. Kur pashë, uji po rridhte nga sipër botit. I thirra Sandrit dhe ai nuk u përgjigj. Dyshova pak momente, por mendova se do të ishte duke u çlodhur.
Më pas e gjetët të vdekur?
U afrova të mjeti, thirra sërish dhe nuk u dha asnjë përgjigje. Uji rridhte furishëm. U ngjita lart në mjet dhe gjeta Sandrin me fytyrën gjysmë në ujë sipër kapakut dhe pa ndjenja. I fola, i bërtita, por më kot.
A rridhte gaz nga uji?
Po, po rridhte pak. Kishte aromë të rëndë
Mendoni se ka vdekur nga asfiksimi?
Po, mendoj se ka gjetur vdekjen nga gazi. Duhet të kishte veshur maskën, por e ka nënvlerësuar.