Do të privatizohen oborret e lëna në përdorim që në ‘76-ën
Kryeministri i kërkon Alibeajt të bëjë projektin
Berisha: Krerët e bashkive të veçojnë tokat për kompensim
Qeveria u jep mundësinë shqiptarëve që të privatizojnë trojet dhe oborret e shtëpive të tyre. Premtimi u bë dje nga Kryeministri Sali Berisha si një korrigjim ndaj padrejtësive që u janë bërë ish-pronarëve. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, z. Berisha i kërkoi ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, që të sjellë praktikën ligjore për të ndryshuar ligjin që u jep shqiptarëve vetëm të drejtën e përdorimit të truallit dhe oborrit të shtëpisë të mbetur ende në fuqi që nga koha e shtetëzimit. Berisha deklaroi dje para stafit qeveritar: "Siç kemi përmirësuar mjaft gjëra, edhe në këtë rast duhet të gjejmë rrugën për të qenë të drejtë për këta pronarë që padrejtësisht figurojnë në zyrat e këtij vendi, sikur nuk janë pronarë dhe që mbi bazën e një klauzole në ligj ata faktikisht nuk kanë të drejtë të shesin, të blejnë apo të kryejnë veprime mbi truallin”. Ndërkohë, duke mbetur serish tek çështja e pronave, Berisha u bëri thirrjeve bashkive që të evidentojnë pronat e lira për kompensimin e pronarëve. Kryeministri Sali Berisha kërkoi ngritjen e një grupi pune për të hartuar sa më shpejt kuadrin ligjor që t’i japë përgjigje të menjëhershme, jo burokratike dhe të plotë, çështjes së oborreve në përdorim. Berisha vuri në dukje se të gjitha këto territore bëjnë pjesë në listën e trojeve me çmime dhe vlera më të larta, pasi janë pothuajse të gjitha familjet tiranase që kanë këtë problem. Ai shprehu shqetësimin se "çështja e oborreve në përdorim është një problem madhor që ekziston padrejtësisht për mijëra pronarë shqiptarë, kryesisht në qytete, por edhe në fshatra". Z. Berisha evidentoi se “në zyrat e regjistrimit të pasurive janë mijëra familje shqiptare të cilat kanë shtëpitë e ndërtuara mbi trojet e tyre, kanë oborrin tërësisht të tyre, por ato vazhdojnë të njihen si oborre dhe troje në përdorim, në një kohë kur janë tërësisht pronë private”. Kjo praktikë, sipas Berishës, buron nga ligji i vitit 1976 në të cilën prona private u eliminua në të gjithë territorin dhe iu regjistrua si pronë në përdorim këtyre familjeve. “Një gjë e tillë i vështirëson të gjitha transaksionet që këto familje do të bëjnë dhe i mban të pasigurt në pronën e tyre. Siç kemi përmirësuar mjaft gjëra edhe në këtë rast duhet të gjejmë rrugën për të qenë të drejtë me këta pronarë që padrejtësisht figurojnë në zyrat e këtij vendi, sikur nuk janë pronarë dhe që mbi bazën e kësaj klauzole ata faktikisht nuk kanë të drejtë të shesin, të blejnë apo të kryejnë veprime mbi truallin", - tha z. Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi se "zgjidhja e këtij problemi përbën një çlirim të madh për tregun, pasi fuqizon më tej tregun e tokës". Kryeministri u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive të Shqipërisë që të veçojnë tokat që mund t’u ofrohen pronarëve për kompensim. "Çdo bashki e ka këtë mundësi, nga Kukësi deri në Gjirokastër, dhe ky do të jetë një shërbim shumë i madh që ne i bëjmë stabilitetit dhe zgjidhjes së problemit të pronësisë", - theksoi Kryeministri Berisha. Ai siguroi se qeveria do të ndërhyjë dhe do të veprojë shumë fuqishëm në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të pronarëve. Në këtë drejtim, ai theksoi se disa grupe pune po punojnë për të diversifikuar ndërhyrjet që mund dhe duhet të bëhen në zgjidhjen e këtij problemi. “Ne do të ndërhyjmë në këtë drejtim. Shqipëria nuk është më Shqipëria e 15 viteve më parë, kur ka pasur mundësi tmerrësisht të kufizuara. Ne gjetëm një mal falsifikimesh, por sërish po shkohet drejt kthjellimit të situatës në këtë aspekt. Ndaj, në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të pronarëve, do të ketë një veprim shumë të fuqishëm nga ne”, - tha Kryeministri Berisha.