E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli pret homologun turk, Toptan: Shqipëria meriton NATO-n



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur dje në Tiranë homologun e saj, kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Këksal Toptan, i cili i konfirmoi Topallit mbështetjen që Turqia po jep dhe do të japë për Shqipërinë. “Shqipëria e meriton NATO-n” si dhe “Jemi si vëllezër”, ishin disa nga përkufizimet që kryetari i Kuvendit turk përdori për të përshkruar raportet shqiptaro-turke si dhe përparimin e Shqipërisë në reformat euroatlantike. “Ne e dimë se Shqipëria ka ecur shumë përpara, ka bërë reforma të mëdha dhe reflekton stabilitet të fortë politik dhe ekonomik. Për të gjithë këtë progres Shqipëria meriton të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Po ashtu, besojmë se shumë shpejt ju do të jeni anëtarë të Bashkimit Evropian. Shqipëria është vendi ynë mik dhe vëlla në të cilin mund të bëni investime të besuara ku mund të gjeni një terren mjaft të mirë në fusha të ndryshme kryesisht në turizëm, energji etj”, - tha ai. Më tej, kryeparlamentari turk shtoi: “Mendoj se investimet që mund të bëhen në bregdetin shqiptar, i cili në shumicën e rasteve nuk është ende i prekur, do të kontribuojnë në fuqizimin e ekonomisë shqiptare, por do të jetë edhe një burim i mirë të ardhurash edhe për investitorët”. Kryetarja e Kuvendit nga ana tjetër, u shpreh se Turqia është kthyer në një partner të veçantë për Shqipërinë, me një bashkëpunim jo vetëm në shumë fusha, por edhe me një miqësi të veçantë. “Ne jemi shumë të kënaqur që kompani të fuqishme turke operojnë në Shqipëri në sektorë të ndryshëm. Jemi shumë të lumtur që nga viti 2005 deri në vitin 2008, vëllimi i investimeve turke në Shqipëri është rritur nga 135 milionë euro në 800 milionë euro, por të dyja palët synojmë që kjo rritje të jetë akoma më e madhe”, - tha Topalli për bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa për të përkufizuar miqësinë mes dy vendeve, ajo vuri në dukje se “Grupi Parlamentar i Miqësisë Turqi-Shqipëri ka 360 deputetë nga 540 deputetë që ka Asambleja e Turqisë, vend i cili është shumë influent dhe renditet ndër të parët për potencialin ushtarak në NATO”. Kryeparlamentari turk mbështeti Topallin, madje vuri në dukje atë që Turqia ka realizuar. “Ashtu siç ju premtova gjatë vizitës suaj në Turqi një vit më parë, Turqia njohu Kosovën, ratifikuam Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe iu përgjigja ftesës suaj për këtë vizitë zyrtare në Tiranë”, - tha Toptan. Më pas, kryetarja Topalli iu përgjigj interesit të mediave edhe për ligjin e dosjeve të miratuar në Kuvend. “Parlamenti ka votuar me shumë dinjitet këtë ligj. Ajo që ne duam të garantojmë, është që zbatimi i këtij ligji të bëhet në mënyrë transparente dhe në përputhje me të gjitha standardet e kërkuara nga Strasburgu. Ky është shteti ligjor i mbështetur në atë ç’ka është morale, mbi transparencën dhe mbi principet, me të cilat funksionon demokracia në vendet e lira”, - deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja ka shtruar një drekë për nder të homologut turk, ku ishin të pranishëm deputetët Preç Zogaj, Ylli Bufi e shumë të ftuar të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›