“Do të raportoj në Bruksel se në Shqipëri ka ndodhur një evolucion i vërtetë pozitiv”

Zëvendëspresidenti i BE Jacques Barrot vlerëson reformat në sistemin e drejtësisë në takimin me Ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj
TIRANE - Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jacques Barrot, është shprehur mjaft entuziast në lidhje me reformat e ndërmarra deri tani nga Ministria e Drejtësisë. “Bravo, ju keni arritur suksese në zbatimin e disa strategjive në drejtësi”, iu drejtua ai Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë një takimi që zhvilloi dje në mjediset e ministrisë.
“Ju, theksoi Barrot, keni arritur suksese në zbatimin e disa strategjive në drejtësi tani duhet të krijoni strategji afatgjata që sigurojnë transparencë dhe eficencë”.
Sipas tij reformat në drejtësi duan maturi dhe kujdes sepse rrethi i gjyqtarëve kudo është i ndjeshëm.
Takimi u shoqërua nga diskutime të zgjeruara mbi të gjitha problemet që janë hasur gjatë kryerjes së reformave në drejtësi si dhe të dyja palët u shprehen për rëndësinë absolute që ka kjo reformë në integrimin Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri Alibeaj falënderoi zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar, financiare, teknike dhe të gjithanshme që Komisioni Evropian i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë në fushën e hartimit të ligjeve si dhe në ngritjen e infrastrukturës me ndërtimin e gjykatave dhe institucioneve të vuajtjes së dënimit. Zëvendëspresidenti Barrot, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurisë, të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe të sistemit të drejtësisë në Komisionin Evropian u njoh me reformën në fushën e drejtësisë, me hartimin dhe miratimin e ligjeve të reja si ai prokurorisë, ai i organizimit të pushtetit gjyqësor , ligjit për ngritjen e gjykatave administrative, luftës ndaj korrupsionit etj.
“Për të realizuar reformën në drejtësi jemi përpjekur që të realizojmë ndërhyrjet e domosdoshme ligjore por edhe të ruajmë konceptin e pavarësisë së sistemit”, tha ministri Alibeaj në fjalën e tij.
Më pas ministri e njohu Barrot me hapat e mëtejshëm të reformës në drejtësi, e cila synon të krijojë një sistem drejtësie lehtësisht të administrueshëm dhe në të cilën besimi i publikut do të rritet. Më tej ai e njohu bashkëbiseduesin e tij me ligjin e dosjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit.
Në përfundim të takimit Barrot premtoi se Shqipërisë nuk do t’i mungojë ndihma e Komisionit Evropian.
“Po iki nga Shqipëria me mendimin se këtu ka ndodhur një evolucion pozitiv dhe sigurisht këto arritje tuaja do t’i raportojë në Bruksel”, deklaroi Barrot.