E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama e ul zhurmën për pasaporta elektronike në nivelin e 200 lekëshit

Opozita institucionalizon lëpirjen e pështymës dhe gëlbazës që hodhën mbi procesin e pajisjes me kartat e identitetit

Lëpirja e pështymave e gëlbazave që PS hodhi ndaj procesit të pajisjes me pasaporta elektronike, prej dy ditësh po shfaq tendencën e institucionalizimit. Ky institucion lëpirjesh tashmë ka marrë një “pamje të re”. Pas pështymave e gëlbazave kundër procesit të pajisjes me pasaporta elektronike, institucionalizimi i lëpirjes tashëm ka zgjedhur një mënyrë origjinale, paksa kontradiktore sërish, ku nga njëra anë ka rënë zhurma antiproces në emër të heqjes së “takës së votës” dhe nga ana tjetër ka dalë “premtimi” elektoral, se pas zgjedhjeve të gjithë aplikuesve të pasaportave elektronike do t’u kompensohet edhe 200 lekëshi i fundit që qeveria ka lënë si çmim simbolik.
E thënë shkurt, zhurmëmëdhenjtë e të ashtuquajturës “taksa e votës”, e kanë ulur çmimin e votës në nivelin e 200 lekëshit.
Një logjikë e tillë, më shumë se sa tentativë për kompensimin vërtetë pas zgjedhjeve të 200 lekëshave, sikurse premton edhe Erjon Veliaj pas heshtjes së Edi Ramës dhe pas lëpirjes së pështymës e gëlbazës nga Kastriot Islami, është një përpjekje që pranon dështimin e asaj perde zhurmëmadhe për “taksën e votës”.
Tërheqja filloi që kur u sajuan nga mediat e kontrolluara nga Edi Rama negociata (por pa emra negociatorësh) midis PD-ës e PS-ës, për rënien dakord të një çmimi parazgjedhor për pasaportat elektronike. Dhe, kur ende deri sot, nuk dihet asgjë për negociatorët fatlumë që vendosën çmimin e pasaportës elektronike 200 lekë, është fakt se një vendim i tillë ishte vetëm dhe atribut dhe e drejtë e qeverisë, ndërsa merret vesh se edhe PS-ja nuk ka negociuar asnjëherë për një çmim të mundshëm të pasaportave elektronike, por këtë mosonegocim e artikulon si gjënë më të rëndësishme, bashkë edhe me premtimin e kthimit të ndonjë 200 lekëshi, pas fitimit të mundshëm të zgjedhjeve.
Dy ditë më parë ky vendim edhe u ligjërua nga Kryeministri.
Ndaj edhe premtimi i Erjon Veliajt, pas heshtjes së Edi Ramës dhe lëpirjes së pështymës dhe gëlbazës nga Kastriot Islami, se do t’u kthejë pas zgjedhjeve nga një 200 lekëshe aplikuesve të pasaportave elektronike, nuk është asgjë më shumë se më e pakta një mashtrim dhe më e shumta një pohim i dështimit të argumentit zhurmëmadh të “taksës së votës”.
Që Erjon Veliaj, nuk ka asgjë në dorë të kthejë nga një 200 lekësh, është lehtësisht e verifikueshme për deri sa një gjë e tillë do të jetë atribut dhe e drejtë vetëm e qeverisë. Në këtë kontekst, Erjon Veliaj ka një rrugë të gjatë, sepse i duhet të fitojë zgjedhjet, të krijojë apo të jetë pjesë e qeverisë, pastaj të bëhet edhe pjesë e një vendimmarrje të mundshme të kthimit të 200 lëkëshve. I bie shumë rrugë e gjatë, sepse gjithë ky skenar bëhet i zbatueshëm vetëm “në se”, PS dhe Erjon Veliaj fitojnë zgjedhjet. Në të kundërt, këtë ka parasysh realisht Erjoni dhe gjithë zhurmëmëdhenjtë, duke ndjerë se “taksa e votës” si argument nuk shkaktoi ndonjë sadisfaksion të mundshëm tek askush, ata zgjodhën të pranojnë edhe këtë dështim të radhës, duke e ulur zhurmën në nivelin e 200 lekëshit.
Edi Rama i cili prej muajsh ka qenë faktor destaibilizues i procesit të pajisjes së shtetasve me pasaporta elektronike, e ka të qartë se nuk mund të blejë vota me nga një 200 lekësh, që premton nëpërmjet Erjon Veliajt se do të fali “në se” fiton zgjedhjet. Për deri sa Edi Rama e ka bindje një gjë të tillë, zgjedh me heshtjen e tij t’ua faturojë përgjegjësinë e lëpirjes së pështymave e gëlbazave disamujore të “taksës së votës”, Kastriot Islamit dhe Erjon Veliajt, të cilët me bisht ndër shalë, nga ana e tyre zgjedhin ti shtojnë edhe ndonjë bisht lëpirjeve të pështymave e gëlbazave disamujore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›