Do të shkohet te kapacitetet maksimale të rreth 6 mijë aplikimeve në një ditë
Kthimi sezonal i emigrantëve, Ministria e Brendshme merr masa për shtimin e mjeteve të prodhimit dhe aplikimit për pasaportat e reja. Flet zëvendësministri Ferdinand Poni
Një milion pasaporta biometrike parashikohet të prodhohen deri në fund të muajit tetor. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, konfirmon se do të dyfishohet kapaciteti prodhues i tyre. Fundjavën e shkuar u prodhuan 22.600 pasaporta biometrike, ndërsa numri i aplikuesve është rritur ndjeshëm me ardhjen e emigrantëve.
“Kësaj dukurie ne i kemi dalë përpara, duke i kërkuar kompanisë koncensionare që të verë më shumë mjete në dispozicion, veçanërisht makina aplikimi dhe orë të zgjatura në pikat që kryhen aplikimet. Ne kemi më shumë njerëz që shkojnë për ta aplikuar sesa normalja. Sapo mora një informacion për Kavajën, sepse Ministria u ka kërkuar gjithashtu prefektëve që të verifikojnë problematikën dhe Prefekti më komunikon që në Kavajë po punohet me orare të zgjatura. Mund të punohet edhe në një komunë tjetër, meqë janë zona bregdetare dhe në të njëjtën mënyrë po bëjmë verifikimet kudo në Shqipëri. Ne do të shkojmë tek kapacitetet maksimale, tek 6 mijë në ditë”, u shpreh zëvendësministri i Brendshëm.
Poni sqaron se miratimi i ligjit për nisjen e procedurave të aplikimit në konsullatat tona në Greqi dhe Itali, ku kemi numrin më të lartë të emigrantëve, do të heqë një merak të tyre, për pajisjen në kohë me dokumentin e ri.
Ai sqaron se çdo të bëhet me pasaportat e vjetra, që janë në përdorim.
“Pasaportat e vjetra do zhduken. Kushdo që kërkon të udhëtojë pas vitit 2011-ë, në kuptimin e legjislacionit shqiptar duhet të ketë pasaportë të re. Por kjo nuk do të thotë që në fillim të Janarit 2011-ë do të kenë 2.5 milionë njerëz pasaporta biometrike. Pasaporta që ata kanë me vete nuk del jashtë përdorimit kur ata aplikojnë dhe së dyti që nuk humbasin të drejtën e lëvizjes nëse e kanë vizën tek pasaporta e vjetër. I marrin me vete të dyja, të rejën dhe të vjetën, e vjetra zhvlerësohet edhe fizikisht, pasi policia ka detyrime për këtë, i bëhen dy vrima pasaportës, që ajo nuk është e të vjetrës dhe qytetarët identifikohen me këtë dokument të mrekullueshëm identiteti.
Dokumentet biometrike të identifikimit janë një prej kushteve teknike për përfitimin nga liberalizimi i vizave”, sqaroi Poni.