Ilir Meta: “Proces gjithëpërfshirës”
“Koha e mbetur të shfrytëzuar maksimalisht për miratimin e reformës së re zgjedhore”
Konferenca për reformën elektorale, apelon shoqëria civile. Përfaqësuesi i PD, Enkelejd Alibeaj: “Mekanizmi i administrimit zgjedhor është më i miri i mundshëm”
Reforma zgjedhore duhet të nisë nga puna dhe objeksioni i saj të jetë gjithëpërfshirës. Kështu u shpreh zëvendëskryeministri dhe njëherësh kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Kryediplomati shqiptar bën apel për realizim të shpejtë të reformës zgjedhore dhe respektim të rregullave nga humbësit pas rezultatit të zgjedhjeve.
Në aktivitetin “Aksioni qytetar për reformën zgjedhore”, Meta tha se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe theksoi se shoqëria civile duhet angazhuar më shumë për çështjen e zgjedhjeve.
“Mosmarrëveshjet që kanë rezultuar pas zgjedhjeve i vuan e gjithë shoqëria shqiptare ndaj është koha për një proces gjithëpërfshirës. Duhet krijuar klima e domosdoshme që të diskutohet çdo opsion”, tha ai.
Me Kodin Aktual, Meta tha se LSI-ja është shumë e kënaqur, por kjo forcë politike shkon përtej interesave të saj ndaj kërkon që reforma të realizohet sa më shpejt.
“Ne nuk shohim vetëm interesat tona, ndaj ne jemi të hapur për administrim politik, administrim teknik. E rëndësishme është që reforma të mos lihet për në minutat e fundit dhe ai që humbet të respektojë rregullat që kemi vendosur në mënyrë transparente”, theksoi Meta.
Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj theksoi se mekanizmi i administrimit zgjedhor është më i miri i mundshëm, por mungon besimi tek ky mekanizëm administrativ e ligjor. “Për të krijuar besimin duhet që çfarëdolloj risie dhe ideologjie të re që injektojmë në ligj të mos e bëjnë vetëm lojtarët politikë, por të vijë edhe nga shoqëria civile”, shtoi ai.
Ish kreu i KQZ-së, Kristaq Kume tha në fjalën e tij se puna për realizimin e reformës zgjedhore duhet të fillojë sa më shpejt.
“Le ta gjejnë fjalën forcat politike për të krijuar kushtet optimale për zhvillimin e kësaj reforme. Ne si shoqëri civile do t’i ndodhemi në krah. Objektivi ynë është që në kuadër të aksionit qytetar të prodhojmë rekomandimin dhe informacion për komisionin e ardhshëm të reformës zgjedhore që vetë kjo reformë të realizohet si një proces gjithëpërfshirës”, nënvizoi ai.
Ndërsa Nikollë Lesi, kreu i LDK-së propozoi që komisioneri që vjedh votat të dënohet me 10 burg. Ai tha se çdo parti politike që ka 3 për qind rezultat kombëtar të ketë përfaqësues në parlament.