Jozefina Topalli merr në Itali “Çmimin e Mesdheut”
Kryetarja e Kuvendit, gruaja e dytë pas Angela Merkel që fiton një çmim të tillë
Kryeparlamentares shqiptare, Jozefina Topalli, i është akorduar dje në Kapri të Italisë “çmimi i Mesdheut”, nga Forumi Mesdhetar për Paqen. Kryetarja e Kuvendit është përzgjedhur përmes propozimit të bërë nga Senatori Sergio De Gregori, President i delegacionit parlamentar italian të Asamblesë së NATO-s. Në motivacionin e këtij çmimi theksohet se “Mesdheu paraqitet si një zonë strategjike që lidh tregjet e Lindjes dhe ato evropiane dhe Perëndimore. Roli i tij në proceset ndërkombëtare dhe në rregullimin e marrëdhënieve politike, kulturore, ekonomike dhe tregtare, por edhe të njerëzve dhe të mallrave është gjithnjë e më thelbësor për çdo perspektivë të së ardhmes së popujve që përfshin kjo zonë. Në zemër të Mesdheut lidhjet historike, politike dhe kulturore karakterizojnë marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, marrëdhënie veçanërisht intensive dhe reciprokish përfituese. Sot, shumë qytetarë shqiptarë jetojnë në Itali plotësisht të integruar dhe krenarë, me të drejtën e plotë të identitetit të tyre. Shumë prej tyre janë sipërmarrës që kanë ngritur biznese të suksesshme në Itali, ashtu si shumë sipërmarrës italianë kanë bizneset e tyre në vendin e shqiponjave”, vijon motivacioni i çmimit.
“është tashmë i largët kujtimi i izolimit ndërkombëtar ku një diktaturë e gjatë kishte zhytur popullin shqiptar, para rënies së Murit të Berlinit. Sot Shqipëria drejtohet nga liderë prestigjiozë politikë, të cilëve u dedikohet rritja e shpejtë institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, e cila pati gjithashtu suksesin e rëndësishëm të hyrjes në NATO”, thuhet ndër të tjera në motivacionin e “çmimit të Mesdheut”, i cili iu akordua kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Marrëdhëniet parlamentare mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumë intensive dhe të frytshme, si në nivelin dypalësh, ashtu edhe në forume ndërkombëtare shumëpalëshe; dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është protagonistja kryesore përsa i përket palës shqiptare.
Ajo mishëron me historinë personale dhe karrierën e saj, një figurë politike dhe një shembull për të gjithë.
Karriera brilante dhe shumëdimensionale akademike dhe karriera në Parlament që nga viti 1997, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2005, shumë aktive në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, Kryetarja Topalli është angazhuar dukshëm e në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet që vendi ka bërë për anëtarësimin në NATO aktualisht në funksion të anëtarësimit në BE.
Me marrjen e çmimit të Mesdheut, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se “këto vite Shqipëria është transformuar në mënyrë të pabesueshme. Ky çmim është për vendin tim”. Nga ana e tij, Senatori De Gregori gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit tha se “në Kapri, ju jeni gruaja e dytë që merrni një çmim të tillë pas Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel”.