E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zani Çaushi liroi oficerin e rrëmbyer"

 

Armand Bajrami

Ish-kreu i Komitetit Kombëtar të Shpë-timit në vitin 1997, Xhevat Koçia, dëshmoi dje në procesin ndaj 10 të akuzuarve si autorë të ma-sakrës së Qafë-Gjashtës, ku u vra dhe u dogj një oficer policie dhe u mor peng e torturua një koleg i tij. Për rreth një orë Koçia rrëfeu para Gjykatës së Krimeve të Rënda për situatën në "Qafë-Gjashtë" pak momente pasi kishte ndodhur ngjarja e rëndë, kur banda e armatosur shkëmbeu zjarr me policinë. Koçia tregoi se kishte gjetur trupin e policit Gjergji Mehmeti të shkrumbuar plotësisht, ndërsa policin Eduard Aliaj e ka parë të lidhur ndërsa një grup njerëzish po e goadisnin. Dëshmitari konfirmoi se Zani Çaushi ka qenë personi që hyri në Sarandë dhe liroi nga duart e grupeve të armatosura oficerin që mbahej peng. Sipas Koçiajt, polici i marrë peng, Eduart Aliaj, është dërguar në spital dhe për të është treguar kujdes deri në momentin që Zani Çaushi ka shkuar dhe e ka marrë. Më poshtë vijon dëshmia siç është paraqitur në gjykatë:
"Në mars të vitit 1997 nuk kam kryer ndonjë shërbim shtetëror. Kam qenë kryetar i komiteteve të vitit 1997 të Sarandës dhe të gjitha komiteteve të tjera. Kam qenë kreu i Komitetit Kombëtar të Shpëtimit. Jam zgjedhur në 17 mars 1997 në Ballsh në mbledhjen e Komitetit. Nuk jam marrë me aktivitete të tjera gjatë kësaj kohe. 
Sokol Bizhgën nuk e njoh. Kam kërkuar ta njoh kur ka qenë në Drejtorinë e Tiranës. Gjergji Mehmetin nuk e njoh. Atë e kam njohur kur jam futur në këtë situatë. Nga mediat di që ka qenë efektiv policie në Vlorë. Në momentin që jam detyruar të futem në situatë, Gjergji Mehmeti ka qenë i djegur, i vrarë, nuk e di, ashtu si edhe makina ku ai ishte. Ka qenë ai momenti, ajo ngjarje kur unë jam futur në situatë. Kanë qenë ditët e para të marsit 1997. Në momentin që ka ndodhur ngjarja për të cilën jam thirrur unë kam qenë në qendër të Sarandës me Fuat Kapllanin. Ka qenë në orët e pasdites, diku rreth orës 14:00-15:00. Në dijeni na vuri Asllan Binja, banor i Sarandës. Ai i foli kolegut tim duke i thënë që "Kush është sarandjot, kush është shqiptar, kush është ushtarak të vijë në Qafë-Gjashtë se po vriten njerëz". Kur vajta në Qafë-Gjashtë kam parë rrëmujë dhe kaos. Kam parë njerëz që vetëm qëllonin dhe bërtisnin. Folën disa të tjerë për të qetësuar situatën, foli edhe Fuati, por nuk u dëgjuan. Pastaj fola unë me një megafon dore me një ton të ashpër prej ushtaraku të vjetër. I qetësuam ata. Ishte edhe Eduart Alija aty, ai polici tjetër. Kemi folur për të qetësuar gjendjen. Në këtë kohë kaloi një helikopter mbi ne. Njerëzit që ishin aty filluan të qëllonin mbi të. U thashë "mos qëlloni kot se nuk zë plumbi juaj". Në atë vend ishin mbledhur rreth 1000-1500 vetë të të gjitha moshave. Shikoje burra, gra, fëmijë e të moshuar. Pas vendit të ngjarjes ndodhej edhe një karburant. Distanca ime me vendin e ngjarjes në atë moment ishte rreth 30 metra. Hera e fundit që kam qenë në atë vend para ndodhisë së Qafë-Gjashtës mund të kishte qenë data 1 mars. Në Qafë-Gjashtë kam parë Eduart Aliajn të lidhur. E kam parë duke e qëlluar. U kam thënë mos e qëlloni. Duhet të jetë në ato kasetat që kanë dalë pas kësaj ngjarjes ku unë them "mos qëlloni". Nuk e pashë kush e regjistroi, por gazetarë kishte sa të duash. Ka pasur njerëz me kapuç. U kam thënë të heqin kapuçin. U kam thënë hiqeni se do të vrisni njëri-tjetrin, do të më vrisni mua. Nuk mbaj mend të kem njohur ndonjë nga personat. Unë nuk kam pasur armë me vete kur shkuam atje dhe as Fuati nuk ka pasur. Personat që ishin të pranishëm në këtë vend ishin të gjithë të armatosur. Kam parë edhe 13-vjeçarë me armë në dorë. Armët që kishin nëpër duar personat ishin pistoleta, automatike, pushkë 10-she, pushkë 20-she, si edhe mitraloz të lehtë. Në momentin që vajtëm ne aty morëm vesh edhe vrasjen e Gjergj Mehmetit. Makina që ishte djegur ishte pak më lart. Kam vajtur deri aty. Kam parë një trup të djegur që nuk nxirrte më tym, si edhe një makinë të djegur totalisht. Trupi i djegur ishte në sediljen e pasme të makinës. Për rrethanat e ngjarjes nuk mund të them gjë, sepse nuk jam dëshmitar okular. Aty mësova që kanë qenë Sokol Bizhga, Eduart Alija, ai që u dogj, dhe një polic tjetër nga Dukati, që pas ngjarjes pati ikur në Itali. Unë nuk mora vesh gjë tjetër, pasi unë u mora me qetësimin dhe normalizimin e situatës, për të minimizuar humbjet. Unë di që kur kanë ardhur në Sarandë, katër policët kanë takuar kryetarin e bashkisë, si dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Sarandës. Ata u kanë thënë "largohuni se nuk zgjidhet situata". Këtë e kam marrë vesh nga njerëzit. Të pandehurit i kam njohur pas ngjarjes, ndërsa një pjesë i njihja që më parë. Vladimir Sinanin e kam njohur si fytyrë. Nestor Sinanin nuk e njoh. Eduart Çipën e kam dëgjuar vetëm si emër. Alqi Pagunin nuk e njoh. Vëllezërit Këndëzi i njoh. Ristan Labajn e njoh. Edmon Seikon e njoh. Agron Qurkun e kam njohur më mbrapa. Nuk mbaj mend nëse në personat që ndodheshin atë ditë atje të ishin edhe këta, nuk e mbaj mend. Pasi u qetësua situata më thanë që ti do të jesh komandanti ynë. Kjo duke pasur parasysh edhe faktin që unë isha një ish-ushtarak. Të nesërmen u pranova edhe nga Saranda. Unë nuk kam dijeni se çfarë ka ndodhur edhe për policin e vdekur, edhe për atë që është marrë peng. Unë pasi më thanë që "ti do të jesh komandanti jonë" dhe unë e pranova atë detyrë, policin Eduart Aliaj e kam çuar në spital. Kam urdhëruar që të mos dhunohej më. I kam shkuar edhe në spital. I thashë Ristan Labajt të ishin të kujdesshëm me të. Gjithmonë ishte qëllimi që të përmirësohej situata dhe ai djalë të kthehej në shtëpinë e tij. Unë jam kujdesur vetë personalisht për të, e kam vizituar edhe në spital. Unë nuk e kam parë të keqtrajtohet pas kësaj kohe, megjithëse kisha informacione që ishte keqtrajtuar. I pata thënë edhe një personi që dikur e kisha pasur vartësin tim, që në kushtet që ndodhesha e kisha shumë të vështirë lirimin e tij. Ai nuk e kishte të lehtë të largohej, pasi mund ta qëllonin. Unë pata dhënë detyra për mbrojtjen e tij në spital. Nuk jam në gjendje të them sa ndenji. Pata urdhëruar që ai të mjekohej, të rehabilitohej nga ato që kishte dhe mendimi ishte ta largonim që të mos kishim probleme. Më pas më thanë që erdhi Zani i Vlorës dhe e ka marrë. Thashë "shyqyr që e mori". Ndërsa për viktimën Mehmeti, pasi kam marrë emrin dhe nga ishte, di të tregoj se kam thënë "ky është viktimë dhe do të rrijë në spital të trajtohet si viktimë". Me konsensus më dhanë të drejtën. Kam lajmëruar familjarët e tij unë personalisht, meqë kisha të afërm në Tepelenë. Ka ardhur një kunati i tij, një arsimtar. E kam pritur dhe i kam thënë: "Ju doni të dini se kush e ka vrarë të afërmin tënd. I thashë që unë nuk di gjë se nuk kam parë gjë". E ka marrë të afërmin dhe unë i kam shoqëruar me automjet deri në Jorgucat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›