E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina përjeton thatësirën më të madhe në 50 vjet

Thatësira është shndërruar
në një alarm të vërtetë në
Kinë dhe bëhet fjalë për
thatësirën më të madhe e më të
rëndë që po përjeton vendi në
këto 50 vitet e fundit. Ky fenomen
ka përfshirë rreth tetë krahina
të mëdha në veri të Kinës dhe
ka lënë 4 milionë veta pa ujë të
pijshëm, çka përbën një
emergjencë të vërtetë humanitare.
Edhe në Pekin, këto 100
ditët e fundit nuk ka pikuar nga
qielli asnjë pikë uji dhe ky është
rekordi më i madh i këtyre 38
viteve të fundit në një qytet që
njihet, veç të tjerash, edhe për
rekordin shumë negativ të shifrave
të larta të ndotjes. Sipas institucioneve
përkatëse të vendit,
bëhet fjalë për një thatësirë, që
rrallë është ndeshur në historinë
e vendit dhe menjëherë është
shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Presidenti i vendit, Hu
Jintao, deklaroi se duheshin bërë
të gjitha përpjekjet për të siguruar
që të mbjellat të mos shkatërroheshin,
pasi kjo do të
sillte një katastrofë të vërtetë në
verë. Ky fenomen po ndodh në
një kohë shumë të keqe edhe për
lidershipin kinez, që ka nisur të
përballet me mundësinë e pakënaqësive
sociale, për shkak të
krizës ekonomike. Vetëm këta
muajt e fundit, si pasojë e shkurtimit
të vendeve të punës, 20
milionë punëtorë janë pa punë
dhe kjo është një shifër që edhe
në Kinën e madhe është mjaft
shqetësuese. Bëhet fjalë për atë
pjesë të madhe të punëtorëve që
kanë ardhur në zonat bregdetare
nga zonat e thella rurale të vendit,
ku jetesa është shumë e
vështirë. Një pjesë e tyre të mbetur
pa punë janë rikthyer sërish
në shtëpi dhe kanë nisur të
punojnë nëpër ferma, me
shpresën se në këtë mënyrë do të
mund të nxjerrin ndonjë para për
të jetuar. Nëse thatësira do të
vazhdojë, do të thotë që edhe kjo
shpresë do të bjerë dhe kjo mund
të bëjë që ata të ngrihen në revoltë.
Sipas specialistëve, kohëzgjatja
dhe shtrirja e kësaj
thatësire janë dy nga karakteristikat
më të veçanta të krizës. Një
ndër krahinat më të goditura është
ajo e Henanit, që është edhe
më e populluara e Kinës dhe vendi
me numrin më të madh të
punëtorëve emigrantë. Në këtë
provincë nuk ka rënë shi që prej
4 muajsh. Gazeta qendrore e
Kinës ka bërë të ditur se në këtë
provincë kjo është thatësira më e
madhe që nga viti 1951. Lajmi i
thatësirës ka qenë kryesori jo
vetëm në Kinë, por edhe në disa
vende të tjera të botës, për të cilat
Kina mbetet ende një faktor stabiliteti
ekonomik në një botë që
po shkërmoqet financiarisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›