Ish-ministri Barka: E vërteta për fondet e OJF-ve
TIRANE - Ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, aktualisht zv/kryeregjistrues pranë Hipotekës, reagoi dje publikisht lidhur me artikujt e publikuar në media për hetimet që po zhvillon ndaj tij Prokuroria e Beratit. "Dua të sqaroj se Kosta Barka nuk ka qenë dhe nuk është nën hetim për asnjë çështje që mund të lidhet me shpërdorimin e detyrës. Person nën hetim do të thotë që Prokuroria ka ngritur një akuzë dhe ta ka komunikuar këtë akuzë. Them me bindje se mua nuk më është ngritur dhe komunikuar asnjë akuzë e asnjë lloji, dhe këtë e ka konfirmuar në shtyp edhe vetë prokurori i Beratit. Publikimi me bujë nga ana e disa gazetave i gjoja 'skandalit' me këto fonde duket qartë që është i nxitur dhe i stisur nga individë apo grupe që kërkojnë të denigrojnë personalitetin tim. Kosta Barka ka shërbyer në detyrën e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë. Kjo mund të verifikohet fare lehtë nga puna që është bërë në atë ministri dhe nga të gjithë bashkëpunëtorët e mi", thekson ish-ministri. Sipas tij, në të gjitha rastet, Ministria e Punës në zbatim të bazës ligjore të sipërpërmendur, ka propozuar pranë Ministrisë së Financave, e cila ka miratuar financimin e Bashkisë së Poliçanit, për t'u ofruar shërbimet e nevojshme fëmijëve të ngujuar.