Ngjela: Berisha i dha votat Ramës
Aristir Lumezi
Avokati i njohur, njëkohësisht dhe kryetar i partisë më të re “Ligj dhe Drejtësi”, Spartak Ngjela komentoi dje votën pro ndaj buxhetit të bashkisë të 6 përfaqësuesve të partive të djathta. Ngjela tha se këto vota janë dhënë pro Ramës me porosi të Sali Berishës. “Votat e djathta pro buxhetit të Bashkisë së Tiranës ishin të dërguara nga Sali Berisha. Duket se vazhdon të funksionojë pakti Rama-Berisha. Ashtu si Rama e shpëtoi nga kriza politike në 2007 me zgjedhjet e presidentit, kur i çoi gjashtë deputetë për të zgjedhur Bamir Topin president dhe të shmangeshin zgjedhjet e parakohshme, ashtu dhe Berisha e shpëtoi Ramën me emisarët e vet për të miratuar buxhetin e Ramës”, tha Ngjela. Një nga denoncuesit e mëdhenj të bashkëpunimit PS-PD në kurriz sipas tij të Kushtetutës por dhe të zgjedhjeve, për Kodin Zgjedhor, Ngjela nuk kursen akuzat edhe ndaj kryetarëve të tyre, të cilët sipas tij janë pasardhës të nomeklaturës moniste. Avokati lëshoi akuza të rënda ndaj sistemit politik në Shqipëri i cili sipas tij është ndërtuar mbi bazën e demagogjisë dhe populizmit. Ngjela e konsideroi të gjithë politikën shqiptare vazhdimësi të Partisë së Punës. “Në Shqipëri vazhdon të udhëheqin punistët e Jugut me punistët e Veriut”, tha Ngjela.
Votimi
Ajo që ra në sy në votimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës ishte vota pro e gjashtë këshilltarëve përfaqësues të partive të djathta, aleate të Partisë Demokratike. Kështu, votave të 21 anëtarëve të PS iu bashkuan ato të PR, PDK, PAD, PDI, PSD, LZHK e PPDNJ. Edhe pse votimi u përsërit disa herë nga ana e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, vota e aleatëve të PD-së ishte konstante dhe e palëvizshme duke treguar se PS kishte bindur edhe të djathtët për domosdoshmërinë e votimit të buxhetit për shkak të investimeve të mbetura në mes për shkak të afateve kohore. Votat e djathta bashkë me ato të PS-së përbënin numrin e nevojshëm për ta kaluar buxhetin e bashkisë për vitin 2009, 29 votat e negociuara që prej mbledhjes së fundit të këshillit, e cila kishte përfunduar me rrëzimin e tij për herë të dytë.
Vasili: Edi Rama si Arturo Ui
Lëvizja Socialiste për Integrim e ka konsideruar arrogante sjelljen e Kreut të Bashkisë Edi Rama, gjatë mbledhjes së Këshillit duke e krahasuar atë me një personazh teatral. “Eshtë i njohur ky lloj numërimi që Rama kreu në stilin alla Arturo Ui, kur votohej për Trustin e Lulelakrës e kur të gjithë votonin në presion dhe me imponimin e dhunës dhe të korrupsionit klientelist”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili. Ai e cilësoi buxhetin e bashkisë si buxhetin personal të Ramës. “U përballën me një Kryetar Bashkie arrogant, i cili deklaroi haptas që në minutën e parë të diskutimit të tij se nuk negocion asnjë shifër duke na lënë të kuptojmë se ky ishte buxheti i tij personal”, ka tha Vasili për mediat.
Ceka: Rama po sillet si monark i shekullit XV, vota jonë kundër
PAD ndërron qëndrim për votën ndaj buxhetit të Tiranës. Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, u shpreh dje kundër buxhetit të Bashkisë së Tiranës. I pyetur në telefon Ceka tha për gazetën se “PAD-së nuk do ta votojë buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe kjo votë është për kryetarin e bashkisë, i cili me arrogancën e tij po sillet si një monark i shekullit të 15”. Po dje, anëtari i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, përfaqësues i PAD-së, Gjet Ndoji, i cili votoi një ditë më parë pro buxhetit, u shpreh se kjo votë ishe për qytetarët e Tiranës dhe investimet e pritshme. “Vota ime dje pro nuk duhet të përkthehet si votë për kryetarin e bashkisë, por një votë që konsideronte interesat e qytetarëve të Tiranës. Mos miratimi i buxhetit të bashkisë, kisha bindjen se do të sillte pasoja në jetën e qytetarëve dhe investimeve që duhet të kryhen në Bashkinë e Tiranës”, tha Ndoji. Sipas tij, sjellja e kryetarit të bashkisë ishte arrogante duke tentuar të merrte kompetencat e kryetarit të Këshillit Bashkiak. “Unë kam dhënë madje votën pro shkarkimit të kryetarit të bashkisë, propozim që erdhi nga këshilltarët demokratë, pas festimeve të 29 nëntorit. Kryetari i bashkisë dëmtoi rëndë procesin duke eklipsuar drejtimin e këshillit nga vetë ai, thua se ishte kryetar i këshillit”, tha përfaqësuesi i PAD-së në Këshillin Bashkiak. Duke sjellë në vëmendje qëndrimin konstant të PAD-së përballë buxhetit të bashkisë, Ndoji tha se kjo parti kishte votuar kundër edhe buxhetin e vitit të shkuar.
“PAD ka kaluar kundër dhe buxhetin e vitit 2008. Kjo votë kundër ka qenë shumë parimore, për shkak të rritjes së taksave vendore, ndërkohë që administrata e Bashkisë së Tiranës tregohej e paaftë të mblidhte këto taksa. Ndërkohë që dy mbledhjet e kaluara që dështuan kanë qenë më shumë të karakterit procedurial, sepse kryetari i bashkisë në dëgjesa publike ka dalë dhe ka biseduar me komunitetin me partinë e tij dhe jo me qytetarët, duke e cilësuar si pikën më të fortë të këtij buxheti. Kjo është një demagogji e mirëfilltë, pasi është këshilli dhe anëtarët e tij me të cilët kryetari do të bisedojë për buxhetin”, tha Ndoji. Ndërsa nënkryetari i kësaj partie, Arben Demeti tha se votimi i buxhetit ishte nul dhe i paqenë. “Procesi i votimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës është një proces i paqenë, shkak i kësaj pasoje është sjellja brutale dhe arrogante e kryetarit të bashkisë i cili kërkonte të imponohej ndaj këshillit. Një proces votimi quhet i rregullt kur të gjitha procedurat e tij shpallen nga kryetari i këshillit, prandaj PAD e konsideron këtë votim nul, të paqenë dhe do të shprehet me votën e saj në mbledhjen e ardhshme nisur dhe nga sjellja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke treguar se ai nuk ka respekt ndaj asnjë institucioni.
“Pse votuam pro buxhetit të Ramës”
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar votoi pro buxhetit për të mos rrezikuar shpërndarjen e Këshillit Bashkiak. Një ditë pas votimit në Këshill, kreu i kësaj partie, Dashamir Shehi tha në një prononcim për gazetën “Panorama” se megjithëse vota të martën në mbrëmje ka qenë qëndrim i vetë këshilltarit Ruço, kjo forcë është kundër zgjedhjeve në Tiranë. “Këshilltarët tanë gjithmonë kanë vendosur si e kanë parë të arsyeshme. Ne nuk shohim asgjë të keqe për atë votim, pasi mbrëmë votuan pro gjithë aleatët e PD-së që janë në qeveri. Ne nuk na leverdis të bëhen zgjedhje për Këshillin Bashkiak përpara zgjedhjeve të përgjithshme, pasi do të ishte absurde. Gjithë vëmendja politike po spostohet për buxhetin nëpër qytetet e Shqipërisë dhe kjo është një histori e përvitshme”, tha Shehi. Sipas tij “ne e gjykojmë që interesat e LZHK-së dhe përqendrimi politik duhet të merren me zgjedhjet që po vijnë. Ata i kanë hyrë një beteje të kotë, kjo është njëlloj butaforie sepse në fund të fundit pas një ose dy javësh i thonë ose zgjidhet Këshilli Bashkiak dhe të rri ky kryetar që është sot dhe të shkojmë për zgjedhje në Tiranën përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Megjithatë, ne e lamë këshilltarin tonë të vendosë sipas arsyetimit të tij”.
Rama: Buxheti u miratua me 29 vota
Aristir Lumezi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama e konsideroi dje buxhetin e bashkisë të miratuar. “Buxheti është një çështje e mbyllur. 29 kartonat pro i kanë dhënë përgjigje qytetarëve dhe investimeve për ta” tha dje kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, gjatë një konference për shtyp në ambientet e bashkisë. “Ndjesë dhe mirënjohje për ju gazetarët dhe kameramanët e të gjitha mediave, që i dhatë mundësi publikut të ndjekë nga afër ballafaqimin e akuzave me argumentet, të shpifjeve me faktet, të fyerjeve me shifrat, por edhe që fiksuat dëshminë e 29 votave pro, të cilat i dhanë Tiranës buxhetin e mohuar padrejtësisht prej muajsh. Ky nuk është buxheti im, dhe as buxheti i 29 këshilltarëve që e votuan pro. Ky është buxheti i atyre qindrave mijërave njerëzve që na kanë votuar”, deklaroi Edi Rama, Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Rama nuk e ka konsideruar si një betejë me fitimtarë dhe të humbur debatin dhe votimin për buxhetin. “Loja politike ishte e gatuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, dhe unë nuk mora pjesë asnjë ditë në këtë lojë. Sot nuk ndjehem fitimtar i lojës së tyre politike, kur në fakt nuk hyra asnjë ditë. Ashtu sikurse dhe ata nuk duhet të ndihen humbës që loja e tyre politike dështoi”, u shpreh Rama. Sipas tij, LSI duhet të tërhiqet nga kontestimi i buxhetit. “Të gjithë qytetarët shqiptarë kanë parë sesi u miratua buxheti me 29 vota pro. Kontestimi, sot është një ogur i keq për zgjedhjet parlamentare Nuk do donim sot që pasi u bashkua me Sali Berishën, për të bllokuar buxhetin, Iliri bashkohet me Sali Berishën për të prishur votimin e ligjshëm, transparent dhe të fiksuar nga të gjitha kamerat pro buxhetit”, përfundoi ai.
Dervishaj
Ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, e cilësoi dje nul votimin e të martës. “Votimi i djeshëm, e përsëris dhe njëherë, bëhet nul. Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjet e Këshillit, sepse nuk janë respektuar procedurat dhe rregullorja e këshillit. Neni 19 i rregullores përcakton detyrat e sekretarisë të Këshillit Bashkiak. Pika 2 sqaron që sekretaria ka këto detyra, të njoftojë kryetarin për pjesëmarrjen e këshilltarëve në mbledhje, numëron votat e këshilltarëve që marrin pjesë në votim të hapur dhe njofton kryetarin për rezultatin e tij. Praktikisht kjo procedurë nuk është zbatuar sepse kryetari i bashkisë mori përsipër dhe detyrën e sekretarisë së këshillit, ndërkohë që në sallë u shkaktua një kaos dhe votimi nuk përfundoi”, tha Sokol Dervishaj, Kryetar i Këshillit Bashkiak. Kryetari i Këshillit Bashkiak ka kërkuar negocim mes palëve dhe gjetjen e një zgjidhje emergjente. Ndërkohë që Dervishaj u shpreh se do të kërkojë votim nominal në mbledhjen e radhës. “Palët të ulen në dialog, të gjejnë zgjidhjet më të mira të mundshme, të reflekohet për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të vijnë përsëri në këtë sallë dhe me një kulture të ndryshme komunikimi”, vijoi ai.
PD: Blerja e këshilltarëve kundër interesave të qytetarëve
Grupi i këshilltarëve demokrat reagoi dje ndaj anulimit të votimit në Këshillin Bashkiak për buxhetin e Tiranës. Në një deklaratë për shtyp kreu i grupit demokrat, Ferdinand Pone, theksoi se “Blerja e drejtuesve të mediave, apo deputetëve, apo këshilltarëve, apo partive politike, ose reklamat partiake apo fushatat elektorale nuk kanë lidhje me interesat dhe nevojat e qytetarëve të Tiranës. Prandaj dhe ne nuk mund t’i lëmë këto 14 milionë euro pa destinacion”. Sipas tij “Megjithë përpjekjet tona si këshilltarë të opozitës, Edi Rama refuzoi t’i destinonte këto 14 milionë euro, refuzoi t’ia kthente ato buxhetit të bashkisë, madje shkoi deri atje sa prishi votimin vetëm që të mos kthente 14 milionë eurot. Këto 14 milionë euro nuk mund të shkojnë për të ngopur babëzinë e Edi Ramës. 14 milionë eurot duhet të destinohen për të plotësuar nevojat e qytetarëve të Tiranës”. Në të njëjtën kohë, kreu i këshilltarëve demokratë deklaroi se vota e PD-së do të jetë sërish kundër buxhetit, kur ai të votohet në Parlament. “Grupi i këshilltarëve të PD do të rrëzojë kurdoherë buxhetin e Edi Ramës, për të votuar buxhetin që ne propozojmë për Tiranën dhe qytetarët e saj, sepse në vend që t’i japë Tiranës buxhetin që meriton, ai po kërkon t’i imponojë qytetit buxhetin e tij personal dhe elektoral”.