Do te sulmohej eskorta e Kryeministrit

Ka vijuar me pyetjen e dëshmitarëve gjyqi i 21 janarit. Shefi i komanduar në Gardën e Republikës, Artan Hoxha dëshmoi në gjyqin ndaj ish-eprorit të tij Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo e shoferit Margarit Kume. Hoxha u shpreh para gjykatës së në ditën e protestës së dhunshme të opozitës ka patur informacione nga sektori i krimit të organizuar se një makinë me targa të huaja dhe një me targa Shkodre do të sulmonin eskortën e kryeministrit. Hoxha tha se informacionet gjithashtu ishin se një grup të rinjsh prej 300 apo 400 personash me precedentë penal do të sulmonin parlamentin. Sipas Hoxhës këto informacione bënë që të shtoheshin masat e sigurisë. Shefi i komanduar i gardës gjatë dëshmisë së tij tha së ka patur dhe një takim mes kryegardistit Ndrea Prendi dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Sipas tij Basha dhe Prendi janë takuar në ambientet e brendshme të godinës së kryeministrisë gjatë kulmit të demonstratës dhe Ndrea Prendi ka kërkuar ringritjen e kordonit të policisë në pjesën e jashtme të rrethimit të kryeministrisë, pasi jeta e efektivëve të Gardës, ishte e rrezikuar. Gjatë seancës së sotme janë pyetur 4 dëshmitarë ndërkohë që është intensifikuar zhvillimi i seancave të këtij gjyqi. Séanca e radhës u caktua ditën e premte.