Do të vrisja për Mourinhon

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç ka bërë një sulm të ri te ish klubi i tij Barcelona, derisa ka theksuar se Rossonerët janë “më të rëndësishëm” se Interi. Ylli suedez iu bashkua gjigantit katalan në marrëveshje prej 70 milionë eurosh nga Inter më 2009, por kaloi te Milan pas vetëm një sezoni në Nou Camp, për më pak se gjysma e këtij çmimi.
Ibrahimoviç fajëson trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, për largimin e tij nga klubi dhe shprehu pakënaqësinë e tij rreth mënyrës si ishte trajtuar. “Në Barcelonë kam kuptuar se si futbolli dhe gjërat mund të ndryshojnë aq shpejt, problemi im ishte një njeri, filozofi (Guardiola) tha Ibrahimoviç për Eurogoals.
“Gjashtë muajt e parë ishin të shkëlqyeshëm. Kurrë nuk kam pasur asnjë problem me dikë, nuk ekziston një njeri që mund të thotë se ka bërë diçka gabim. Por, më pas ndodhi diçka, edhe pse unë nuk e di se çka. Ende pres për përgjigje”, shtoi ai.
Ibrahimoviç thumboi Guardiolan duke përmendur kualitetet e trajnerit të tij në Inter, Jose Mourinho, me të cilin punoi gjatë sezonit të tij të fundit me Nerazzurrët.
“Nëse nuk e keni dikë që ju motivon, atëherë nuk dëshironi të luftoni. Për këtë janë trajnerët. Do të vrisja për Jose Mourinhon, për motivimin që më dha dhe për mënyrën si më stimulonte. Me tjetrin (Guardiola) ishte futboll, por një trajner duhet të adaptojë lojën e tij për t’iu përshtatur futbollistëve e sidomos pasi kishte shpenzuar 70 milionë euro për njërin. Nëse keni blerë një futbollist, ju nuk duhet ta lini atë t’i shikojë zogjtë në drunj”, u shpreh Ibrahimoviç.
Sa i përket aventurës së tij në Inter, ai theksoi: “Nuk flas keq për Interin sepse kam kaluar kujtime fantastike atje, por historikisht besoj se Milan është klub më i rëndësishëm. Kur kam ardhur këtu, më është prezantuar një projekt që më rrethon dhe më janë premtuar gjëra të mëdha në të cilat punon klubi. Është një projekt që po zhvillohet dhe besoj se viti i ardhshëm do të jetë viti për të luftuar në të gjitha frontet”, përfundoi Ibrahimoviç.