E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarisht në Orebro

Nga Express më 25 shkurt 2011 në ora 10:00

Valdet Rama edhe zyrtarisht është futbollist i Orebros. Sulmuesi kosovar dhe klubi suedez kanë arritur marrëveshje të enjten duke nënshkruar kontratë afatgjate.

“Valdet Rama është pikërisht tipi i lojtarit që po e kërkonim. Ai i ka kualitetet e duhura për ta përforcuar sulmin tonë. Mund të luajë në krahun e majtë të sulmit, por edhe në të djathtë dhe në qendër na ofron disa opsione. Ndër të tjera, ai ka luajtur në Bundesligën gjermane”, theksoi drejtori sportiv i Orebros, Lennart Sjogren, i cili nuk e ceku detajisht kohëzgjatjen e kontratës, duke thënë se ajo është disavjeçare.

Orebro ka paguar një shumë të vogël si dëmshpërblim, pasi që Rama kishte kontratë me Hannoverin. Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, ishte ndërmjetës në këtë transferim. Bunjaku ka treguar se për përfaqësuesin kosovar kishte interesim edhe nga skuadra të tjera.

“Ramën e kërkuan katër skuadra; nga Norvegjia, Zvicra, Italia e Gjermania. Mirëpo, Orebro kishte ofertën më konkrete dhe më të qartë në krahasim me ekipet tjera. Mendoj se është një mundësi e madhe për të të vijë në Suedi. Nuk ishin paratë ato që vendosën që të vinte këtu, sepse ai paguhej më mirë në Hannover. Por, këtu do ta ketë mundësinë ta mbajë me lehtë vendin në përfaqësuese dhe e ka një avantazh të madh, pasi mund të luajë në Evropë”, tha Bunjaku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›