E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ti kthehemi sërish mozaikut të Elbasanit

Specialistët Ylli Cerova dhe Agron Islami bëjnë të ditur se ekziston një projekt që ka të bëjë me Kalanë e Elbasanit dhe se sipas drejtorit të IMK-së, Apollon Baçe, një pjesë e fondeve të tij do të kalojë për zbulim, mirëmbajtje dhe rrethimin e së gjithë bazilikës paleokristiane të Elbasanit, pjesë e së cilës është edhe mozaiku Arkeologët

Jo vetëm institucionet, por edhe qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të ruajnë atë çka trashëgimia kulturore ofron. Rasti i mozaikut të Elbasanit, i bërë publik në artikullin e botuar dje në gazetën “Shqip”, e dëshmon mirë këtë. I kthyer në një kosh mbeturinash e shkurresh, ai është në qendër të qytetit të Elbasanit, pikërisht në mes të vendit, ku turistët, vizitorët por edhe vetë banorët e qytetit nuk mund të shmangin kalimin atypari. Edukata dhe ndërgjegjja qytetare duhet të vijnë në radhë të parë. Sipas arkeologut Ylli Cerova, ajo pjesë e restauruar e mozaikut është e mbrojtur mirë dhe se mozaiku nuk ka asnjë dëmtim, problemi është se mbi mozaik, mbi monumente, njerëzit hedhin mbeturina. “Mendoj se është Bashkia e Elbasanit që duhet të përgjigjet, siç është përgjigjur deri më tani për pastrimin e monumentit. Nuk mund ta bëjë Instituti i Arkeologjisë apo Instituti i Monumenteve të Kulturës nga Tirana këtë punë, kjo pjesë duhet bërë nga bashkia.

Një moskoordinim midis instituteve dhe bashkisë ka çuar në këtë gjendje. Problemi, për fat të keq, është se investimet për gërmim janë dhënë nga Bashkia e Elbasanit dhe nga Instituti i Arkeologjisë, ndërsa për mirëmbajtje, ajo shifër është dhënë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Kjo është pak a shumë gjendja për momentin”, thotë Cerova duke iu referuar gjendjes aktuale të mozaikut të Elbasanit, që sipas drejtorit të Muzeut Etnografik të Elbasanit, Kreshnik Belegu, është shkatërruar plotësisht. Ndërsa arkeologu Agron Islami, specialist i mozaikëve, i cili ka zbuluar dhe restauruar mozaikun e Elbasanit, thotë se gjendja e tij nuk është e keqe. Ai shpjegon se mozaiku është mbuluar me një shtresë rreth 40 centimetra me rërë dhe ruhet në gjendje të mirë. “Sa i takon mbeturinave e shkurreve dhe imazhit të shëmtuar që ato përcjellin për atë monument, mendoj se ndoshta faji është nga pak i të gjithëve ne. Bëhet fjalë për një objekt të një rëndësie të madhe dhe më vjen mirë që më në fund u kthye vëmendja edhe tek ai. Gjej rastin që mbi të gjitha t’i drejtohem popullit të Elbasanit, është ai që më shumë se kushdo duhet të kujdeset për këtë monument interesant, që ka fatin ta ketë në qytetin e tij”, shprehet ai, duke pasur parasysh faktin se letrat, shishet e ujit e gjithfarë mbeturinash të tjera, nuk kanë përse të fluturojnë drejt e te ky objekt i kulturës. Sa i takon faktit se në këtë objekt kanë reshtur punimet dhe gërmimet prej afro një viti, Ylli Cerova, tregon se aktualisht ka një projekt tjetër, i cili ka të bëjë me Kalanë e Elbasanit, që prek rrugën që përshkon kalanë nga perëndimi në lindje dhe një pjesë e fondeve të këtij projekti do të kalojë për zbulim, mirëmbajtje dhe rrethimin e gjithë bazilikës paleokristiane të Elbasanit, pjesë e së cilës është edhe mozaiku.

“Vetëm dy ditë më parë, pata një takim me z. Apollon Baçe, drejtorin e IMK-së dhe ai më njoftoi se një shifër prej projektit të Kalasë së Elbasanit do të shkëputet për t’u vënë në dispozicion të bazilikës, pra do të kemi gërmime të mëtejshme, restaurim dhe mbulim të mozaikut”, shton ai. Arkeologu Agron Islami tregon se deri më tani është realizuar vetëm 30 për qind e rrethimit të mozaikut, ndërsa priten ende fonde për ta çuar deri në fund. “Ky objekt është i një rëndësie të veçantë. Ka ende pjesë të pazbuluara të mozaikut, nuk është bërë as 30 për qind e zbulimit të tij. Ndoshta nga muaji shtator do të nisin sërish gërmimet, por asgjë nuk është e sigurt”, shprehet ai, ndërsa shpjegon se përse për momentin janë ndalur punimet për gërmim të mëtejshëm. “Një nga arsyet që ne kemi bllokuar gërmimet në mozaik është edhe fakti që i gjithë perimetri i bazilikës ku ndodhet mozaiku është i rrethuar me një afresk, e për ta ruajtur atë na është dashur të ndërpresim punimet”, thotë Islami. Ai tregon se ekziston edhe një projekt për ta bërë të vizitueshëm, por shton se çdo gjë do kohën e vet për t’u realizuar. “Hap pas hapi, thotë ai, ne do të arrijmë edhe në këtë fazë”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›