Do tju vëmë flakën!

Do të sulmojmë Izraelin dhe anijet amerikane në Gjirin Persik, nëse na sulmojnë për programin tonë bërthamor. Ishte ky kërcënimi i radhës që Irani lëshoi dje kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatit të tyre hebre. “Goditja e parë amerikane mbi Iranin do t’u vërë zjarrin interesave më jetike amerikane në botë”, - deklaroi Ali Shirazi, një nga ndihmësit e liderit suprem iranian. Ai paralajmëroi se, nëse sulmohet Teherani, do t’i vërë zjarrin Tel Avivit dhe flotës amerikane në Gjirin Persik, si objektivat e para të kundërgoditjes. Teherani i ka mohuar gjithnjë pretendimet e Perëndimit, se po përpiqet të ndërtojë një armë bërthamore. Në të njëjtën kohë, Republika Islamike ka refuzuar vazhdimisht kërkesat për të ndaluar programin e vet të pasurimit të uraniumit, që mund të përdoret si karburant për prodhimin e energjisë elektrike ose material për armë nëse rafinohet në një shkallë më të lartë. Bashkimi Evropian vendosi sanksione të reja kundër Iranit në muajin qershor, por pak ditë më parë ofroi një paketë me stimuj, për të bindur vendin islamik të pezullojë pasurimin e uraniumit. Irani thotë se është i gatshëm të negociojë me fuqitë e botës, por insiston se bisedimet duhet të marrin parasysh të drejtat e tij bërthamore. Shirazi është një klerik që punon si përfaqësues i liderit suprem iranian, Ajatollahut Ali Khamenei, në njësinë detare të elitës së Rojeve Revolucionare të Iranit. Komentet e tij erdhën në mes të raportimeve për planet amerikane dhe izraelite për të sulmuar objektet bërthamore iraniane. “Regjimi zionist po u bën presion zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë që të sulmojnë Iranin. Nëse ata e bëjnë një budallallëk të tillë, Tel Avivi dhe flota amerikane do të jenë objektivat e para të Iranit, që do të digjen si kundërpërgjigje”, - tha ai, i cituar nga agjencitë iraniane të lajmeve. Shirazi shtoi se kombi iranian nuk do të pranojë kurrë që të imponohet. “Kombi iranian është një komb besimtarësh që beson në Xhihad (lufta e shenjtë) dhe në martirizim. Asnjë ushtri në botë nuk mund të përballet me të”, - tha ai. Javën e kaluar, oficeri më i lartë i ushtrisë amerikane, Admirali Majk Mullen, deklaroi se hapja e një fronti të ri me Lindjen e Mesme, pas Irakut dhe Afganistanit, do të ishte ekstremisht stresuese për forcat amerikane. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, deklaroi pak kohë më parë se, për sa i përket Iranit, të gjitha alternativat janë në tavolinë, megjithëse ndërhyrja ushtarake kundër Republikës Islamike nuk do të jetë zgjedhja e tij e parë.